Pas 9 ditësh në grevë urie, naftëtarët e Marinzës i kanë dërguar letër kryeministrit Rama, ku i kërkojnë ndërmjetësim për zgjidhjen e ngërçit të krijuar mes tyre dhe kompanisë “Bankers Petroleum” që administron vendburimin e naftës në Patos-Marinzë.

Teksa e njoftojnë kryeministrin për gjendjen e renduar shëndetësore të grevistëve, Sindikata e Sektorit Hidrokarbur i kërkon kreut te qeverise zgjidhje të problematikave të tyre, me ndërhyrjen e institucioneve, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Inspektorati i Punës, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit etj.

Nga rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës, te zbatimi i Statusit të Naftëtarit, promovimin në bazë të meritës dhe barazinë në shpërblim, ulja e diferencimeve ekstreme mes pagave të ulëta dhe atyre të larta, naftëtarët rendisin këto kërkesa, si kusht kryesor për daljen nga greva dhe rikthimin në vendin e punës.

Sipas naftëtarëve, gjatë këtyre ditëve vendburimi është duke funksionuar me numër minimal punonjësish, të cilët po përballen me volume të papërballueshme pune dhe orare të tejzgjatura që kalojnë orët e lejuara nga ligji, gjë që vë në rrezik shëndetin e tyre. Gjithashtu, naftëtarët pohojnë se janë intimiduar nga menaxherë të firmës për t’u paraqitur në zyrat e tyre.

Kërkesa e naftëtarëve ndaj kryeministrit erdhi pas takimit të zhvilluar me përfaqësues të kompanisë Bankes Petroleum, të cilët deklaruan se nuk janë në gjendje të miratojnë rritje shtesë për pagat, për shkak të presioneve të vazhdueshme financiare, duke përfshirë rënien e çmimeve të naftës në 60 dollarë amerikanë për fuçi dhe parashikimet që sugjerojnë një rënie të mëtejshme vitin e ardhshëm.

Për rrjedhojë ata i kërkojnë kryeministrit Rama t’u garantojë trajtim dinjitoz, ndërmjetësim dhe zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme.

Naftëtarët e Marinzës i kanë dërguar letër kryeministrit Rama, 9 ditë pas grevës së urisë, ku i kërkojnë ndërmjetësim për zgjidhjen e ngërçit të krijuar mes tyre dhe kompanisë “Bankers Petroleum”. Letra e naftëtarëve ndaj kreut të qeverisë erdhi pas takimit me përfaqësuesit e kompanisë Bankers, të cilët u thanë se e kanë të pamundur të miratojnë rritje shtesë për pagat, për shkak të presioneve të vazhdueshme financiare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb