Babai dhe vëllai i Jurgen Karajt, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e prroit të fshatit Dares, i bëjnë apel shtetit për intensifikimin e kërkimeve.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate, kur automjeti me të cilin po lëviznin dy të rinjtë ka përfunduar në prroin e fshatit Dares. Drejtuesi i mjetit ka arritur të dalë nga makina dhe është arrestuar nga policia, ndërsa Jurgen Karaj, i cili ishte pasagjer, rezulton i zhdukur prej 9 ditësh.

Pavarësisht kërkimeve intensive nga forca të shumta policie dhe ekipe shpëtimi, në terren nga zona e Ulzës deri në vendin ku automjeti përfundoi në rrjedhën e prroit, ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e Jurgenit.

Babai i tij, Shaban Karaj, dhe vëllai, Endrin Karaj, u bëjnë apel institucioneve shtetërore që të shtohen forcat dhe mjetet për gjetjen e Jurgen Karajt. Ata theksojnë se të vërtetën ia kanë lënë drejtësisë dhe kërkojnë vetëm zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Kërkoj të më gjejnë vëllanë e të ma sjellin në shtëpi,, ngjarjen e zbardh policia, dua nga shteti të më gjejë vëllanë të ma sjellë në shtëpi. Ta varros ta di ku e kam. Kemi kërkuar por deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat. Është 9 ditë sot që nuk kemi asnjë shenjë prej tij. Nuk dihet fati i tij. I bëj thirrje kryeministrit që të kemi më shumë forca për ta kërkuar”, shprehet vëllai i Jurgen Karaj.

30 vjeçari Jurgen Karaj ndodhej në automjetin që drejtohej nga 24 vjeçari Andi Losha, kur makina me të cilën udhëtonin përfundoi në ujërat e zallit të Darsit pak pas mesnatës së 10 Janarit, teksa po ktheheshin në banesë në fshatin Fullqet. Losha arriti të dilte i gjallë nga uji, ndërsa Jurgeni dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e fortë e zallit dhe ende nuk dihet fati i tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb