Të paktën nëntë persona janë vrarë në periferi të kryeqytetit sirian, pas përleshjeve që shpërthyen midis luftëtarëve pro-qeveritarë dhe personave të armatosur druzë vendas, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Mbretërinë e Bashkuar.
Luftimet në periferi të Damaskut, Jaramana, janë episodi më i fundit i dhunës sektare në Siri që nga rënia e Presidentit Bashar al-Assad në dhjetor.
Kjo ngjarje u nxit pasi një audio-klip qarkulloi në mediat sociale ku shihej një burrë që sulmonte Profetin Muhamed. Kjo ngjarje iu atribuua Marwan Kiwan, një klerik druz, i cili më vonë mohoi të ishte i përfshirë.
Klipi zemëroi shumë myslimanë sunitë dhe çoi në luftime në Jaramana-n me shumicë druze.
“E mohoj kategorikisht që audion e kam bërë unë”, tha Kiwan në një video që e postoi në internet. “Unë nuk e thashë këtë dhe kushdo që e ka bërë është një njeri i lig që dëshiron të nxisë konflikte midis përbërësve të popullit sirian.”
Ministria e Brendshme tha në një deklaratë se po hetonte klipin audio, duke shtuar se hetimi i saj fillestar tregoi se kleriku nuk ishte përgjegjës. Ministria u bëri thirrje njerëzve të zbatojnë ligjin dhe të mos veprojnë në një mënyrë që dëmton sigurinë.
Një zëdhënës i ministrisë, Mustafa al-Abdo, tha se dy anëtarë të Shërbimit të Sigurisë së Përgjithshme të Sirisë ishin midis të vdekurve, duke shtuar se forcat e sigurisë shkuan për të shpërndarë përleshjet.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se gjashtë luftëtarë Druzë nga Jaramana dhe tre “sulmues” u vranë gjithashtu.
Sekti fetar Druzë është një grup minoritar që filloi si një degë e shekullit të 10-të e Ismailizmit, një degë e Islamit Shiit.
Mbi gjysma e afërsisht një milion druzëve në mbarë botën jetojnë në Siri. Shumica e druzëve të tjerë jetojnë në Liban dhe Izrael, përfshirë Lartësitë e Golanit, të cilat Izraeli i pushtoi nga Siria në luftën e vitit 1967 dhe i aneksoi zyrtarisht në vitin 1981.
Përplasjet më të këqija të brendshme në Siri që nga rënia e al-Assad ndodhën muajin e kaluar në rajonin bregdetar të vendit dhe përfshinë anëtarë të sektit minoritar alavit, të cilit i përkiste ish-presidenti.
Përleshjet midis besnikëve të Assadit dhe forcave qeveritare u shoqëruan me vrasje hakmarrëse që lanë më shumë se 1,000 të vdekur, përfshirë qindra civilë, sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë monitoruese e luftës.
Tensioni sektar në Siri mbetet i përhapur, edhe pse udhëheqësit e rinj të vendit përpiqen t’i integrojnë grupet e armatosura të fragmentuara nën një autoritet të vetëm.
Disa luftëtarë druzë i kanë rezistuar kësaj, duke thënë se Damasku nuk ka arritur të garantojë mbrojtjen e tyre nga militantët armiqësorë dhe grupet minoritare mbeten të frikësuara se mund të margjinalizohen nga rebelët që rrëzuan Assadin.
(A.A/BalkanWeb)
