Bashkimi Evropian (BE) ka hyrë në një periudhë qetësie këtë javë, pasi afrimi i festës së Pashkëve nënkupton se do të ketë pak takime të rëndësishme në Bruksel. Por, kjo qetësi nuk lidhet vetëm me festat; shumica e njerëzve janë në pritje të ndoshta zgjedhjeve më me pasoja në Evropë këtë vit, atyre në Hungari më 12 prill.
Me kaq shumë politika të BE-së, veçanërisht ato që lidhen me mbështetjen për Ukrainën, duke u bërë pjesë e fushatës zgjedhore hungareze, në kryeqytetin e BE-së është një ndjenjë se gjërat do të fillojnë të lëvizin vetëm pasi të përfundojnë zgjedhjet, pavarësisht nëse Viktor Orban dhe Fidesz arrijnë ta zgjasin sundimin e tyre 16-vjeçar, apo nëse rivali i tyre, Peter Magyar, dhe partia e tij Tisza, fitojnë.
Ky optimizëm buron nga fakti se, ndonëse Orban ka bërë shumë deklarata të ashpra për Ukrainën dhe presidentin Volodymyr Zelensky, veçanërisht muajt e fundit, pritet që ai “të zbutet disi”, siç u shpreh një burim për Radion Evropa e Lirë (REL), nëse fiton dhe lejon që disa nga vetot e tij të hiqen.
Pothuajse të gjithë zyrtarët me të cilët ka folur REL-i, si nga institucionet e BE-së ashtu edhe nga shtetet anëtare, e pranojnë hapur se do ta parapëlqenin një fitore të Tiszas. Por, ata paralajmërojnë se, ndonëse marrëdhëniet BE-Ukrainë ka gjasa të përmirësohen me Magyarin në pushtet, ata prapëseprapë presin që ai të jetë i ashpër ndaj Kievit dhe jo patjetër të zhbllokojë gjithçka menjëherë.
Pra, cilat çështje të bllokuara nga Budapesti mund të zhbllokohen pas zgjedhjeve, pavarësisht se kush zgjidhet kryeministër?
Së pari, në Bruksel pritet që kredia prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën – e pranuar fillimisht nga Orbani në dhjetor, por e bllokuar më pas për shkak të mungesës së furnizimeve me naftë ruse përmes tubacionit Druzhba – do të aprovohet në prill.
Një ekip ekspertësh i Komisionit Evropian ndodhet aktualisht në Ukrainë, dhe megjithëse ende nuk kanë pasur qasje në tubacionin e dëmtuar, në BE ka shpresë se infrastruktura do të riparohet së shpejti, nafta do të fillojë të rrjedhë drejt Evropës Qendrore dhe kredia më pas do të miratohet — edhe pse manovrat politike si në Budapest ashtu edhe në Kiev pengojnë çdo lëvizje para 12 prillit.
Paketa e 20-të e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, e cila fillimisht ishte menduar të miratohej rreth përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës më 22 shkurt, pritet gjithashtu të aprovohet pas zgjedhjeve.
Propozimi fillestar, i cili përfshinte ndalimin e shërbimeve detare të lidhura me produktet e naftës ruse, që do të ndalonte kompanitë e BE-së të ofronin shërbime për çdo anije që transporton këto produkte nga portet ruse, ka gjasa të zbutet ose të hiqet plotësisht për shkak të rritjes së kostove të energjisë pas konfliktit me Iranin.
Megjithatë, nëse fiton Tisza, në Bruksel do të ketë një dëshirë për të testuar disa nga propozimet e mëparshme të sanksioneve që Hungaria i ka refuzuar deri tani. Këto përfshijnë sanksione ndaj energjisë bërthamore ruse, të cilat vendet e tjera të BE-së, që ende bashkëpunojnë me Rosatomin rus, ka të ngjarë t’i bllokojnë.
Një qeveri e mundshme e Magyarit mund të jetë më e prirë të miratojë sanksione individuale ndaj Patriarkut rus Kirill, ose ndaj drejtuesve të organizatave dhe federatave të ndryshme sportive ruse, pasi Qeveria e tanishme e Orbanit ka të bllokuar çdo përfshirje në listë të zezë të individëve fetarë dhe sportivë.
Përpjekjet e reja për të vendosur sanksione ndaj kolonëve të dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor, të bllokuara nga Budapesti që nga viti 2024, si dhe një përpjekje nga viti 2025 për të futur në listë të zezë figura kryesore të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, e cila gjithashtu u bllokua nga Hungaria, mund të rikthehen nëse Tisza merr pushtetin, edhe pse shtete të tjera anëtare si Çekia dhe Sllovakia mund ta përdorin veton, të paktën sa i përket Tbilisit.
Meqenëse të gjitha vendimet për sanksione kërkojnë njëzëshmëri, përfshirë edhe ripërtëritjet, Brukseli do të jetë i interesuar të shohë nëse një qeveri e re hungareze do të heqë individë nga lista para çdo periudhe rinovimi.
Qeveria e tanishme e Fideszit është e njohur për përdorimin e miratimit të saj për zgjatje si levë për të hequr nga lista oligarkë rusë, si për shembull Moshe Kantor. Megjithatë, duket se Sllovakia është bërë po aq e aftë në këtë lojë, megjithëse mbetet për t’u parë nëse Bratisllava do ta bëjë këtë pa mbështetjen e Budapestit.
Pastaj janë disa çështje që lidhen me Ukrainën dhe që janë më të vështira për t’u zgjidhur, nëse Fidesz mbetet në pushtet. Së pari, Orbani e ka bërë të qartë se nuk e sheh Ukrainën si anëtare të ardhshme të BE-së dhe ka bllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit të Kievit që nga viti 2024.
Derisa ai mund të bindet në një moment të japë të paktën miratimin për hapjen e disa kapitujve të negociatave në të ardhmen, kjo mbetet shumë e pasigurt.
Në të njëjtën kohë, Magyar nuk është mbështetës i anëtarësimit të shpejtë të Ukrainës në BE. Ai ka përsëritur qëndrimin e vendeve të BE-së që nuk besojnë në anëtarësim të përshpejtuar të Ukrainës: se procesi duhet të bazohet në meritë dhe për rrjedhojë të marrë kohë.
Ai me shumë gjasë do të ishte dakord për hapjen e bisedimeve me Ukrainën (dhe Moldavinë, e cila është e lidhur me Kievin) së shpejti, por nuk përjashtohet mundësia që ai ta zvarrisë këtë çështje.
Qeveria e Fideszit e ka bërë pikë qendrore mosmbështetjen ushtarake të Ukrainës në asnjë mënyrë. Kjo ka përfshirë veto ndaj 6.6 miliardë eurove ndihme vdekjeprurëse nga Instrumenti Evropian për Paqe (EPF) të planifikuar për Kievin, mundësinë e ndarjes së imazheve satelitore me Ukrainën nga Qendra Satelitore e BE-së (SatCen), si dhe rishikimin e mandateve të dy misioneve të BE-së në Ukrainë, EUAM dhe EUMAM, për t’i përfshirë ato në garancitë e ardhshme evropiane të sigurisë për Kievin.
Në Bruksel ka shpresë, megjithëse pa premtime konkrete, se këto tri veto do të hiqen nëse në Hungari vjen në pushtet një qeveri e re.
Së fundi, dhe më shumë në aspekt simbolik, ekziston gjithashtu pritshmëria në Bruksel që më shumë deklarata të politikës së jashtme të miratohen nga të 27 shtetet anëtare të BE-së në të ardhmen.
Për bezdi dhe turp të diplomatëve evropianë, vitet e fundit BE-ja është detyruar të publikojë deklarata vetëm në emër të shefit të politikës së jashtme të BE-së, pasi Hungaria ka bllokuar tekste të përbashkëta që, për shembull, dënonin zgjedhjet presidenciale të manipuluara në Bjellorusi në vitin 2025, mirëpritnin fletarrestimin e GJPN-së për Vladimir Putinin dhe përkujtonin përvjetorin e vdekjes së liderit opozitar rus, Alexey Navalny./REL
