Situata ka kthyer në mënyrë të pabesueshme. Dy javë më parë ishte Kukësi me shumë probleme dhe me gjysmën e ekipit jashtë në prag të përballjes me Partizanin kryesues. Por bojkoti i arbitrave u ka dhënë një dorë të madhe verilidnorëve, që kanë arritur të rikuperojnë të gjithë të dëmtuarit dhe të jenë në formë maksimale për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, e cila do të mund t’i rikthente në korsinë e titullit në rast suksesi.
Por kjo gjë nuk mund të thuhet për Partizanin. Të kuqtë kanë humbur shërbimet e Bruno Telushit, i operuar së fundmi, Rubin Hebajt të dëmtuar, Dilaver Dukës të dëmtuar dhe Lum Rexhepit të skualifikuar, ndërsa në dyshim të fortë ëshë edhe Jurgen Bardhi. Por, sikur të mos mjaftonin këto, në seancën e sotme stërvitore probleme ka shfaqur edhe Esat Mala, që ka kryer disa vrapime i diferencuar nga grupi, çka i shton jo pak telashet për Skënder Gegën në prag të ndeshjes së nesërme.
(BalkanWeb)
