Nga: KIÇO BLUSHI*
Ka një shqetësim në rritje të opinionit publik, më së shumti të mediave, për llojin e opozitës që kemi. Natyrisht, cilësia Ka një shqetësim në rritje të opinionit publik, më së shumti të mediave, për llojin e opozitës që kemi. Natyrisht, cilësia e një opozite nuk varet nga media, as nga analistët, as nga dëshirat e opinionit publik; aq më pak nga marifetet e mazhorancës për ta dobësuar, denigruar apo për ta mpakur atë. Dihet: të jesh e të bësh opozitë të dobishme është ku e ku më e vështirë se të jesh në pushtet. Një shoqëri me opozitë të dobët, të flashkët, të përçarë, të mangët, të cekët, pak ose aspak ndikuese, është jodemokratike. Ky është rregulli numër një i çdo demokracie funksionale: zëri i një opozitari vlen, shërben dhe duhet të dëgjohet më me vëmendje se zëri i një qeveritari.
Nuk mund të mohohet që koalicioni Rama-Meta ndihet tepër komod e samëska i rehatosur me opozitën e sotme. Kjo u provua edhe nga rezultati i zgjedhjeve për pushtetin vendor më 21 qershor. Fakti që Topalli ditët e fundit u shfaq hapur, duke bërë kritika dhe vërejtje serioze për cilësinë e të bërit opozitë të Bashës dhe ekipit të tij, dëshmon se meraku, jo vetëm i saj, është i mirëqenë, real. Por gjithsesi, kjo nuk do të thotë që mbas sodit opozita, po qe se do të radikalizohet, si e kërkon zonja në fjalë, do të bëhet më efektive; rrjedhimisht, edhe më e sigurt për të përmbysur “një milion shuplakat” e soc-lësëistëve për të rimarrë nesër pushtetin e humbur.
Shkurt, cilësia e një opozite nuk varet nga tonaliteti i zërit të liderit, si është kujtuar e vepruar nga të dy krahët e politikës pas përmbysjes së monizmit. Aq më pak nga stimulimi, qoftë edhe artificial, i konfliktualitetit, i tensionit dhe mosmarrëveshjeve, d.m.th. nga britmat, nga protestat e bojkotet, nga “cilësia” e ashpërsia e sharje-akuzave për “armikun”. Të mëkuar me këtë ushqim të egër propagandistik, butësia e zërit të arsyeshëm të liderit do të ngjante si dobësi. Ky është kurthi i opozitës: hall të radikalizohet, hall të zbutet! Pikërisht për këtë arsye opozita braktisi reformën territoriale, pa guxuar të mos hyjë në zgjedhje, si rrjedhojë logjike e kokëfortësisë së refuzimit. Të njëjtën gjë po bën edhe me reformën në Drejtësi. Duke mbetur duarjashtë këtyre reformave tejet të rëndësishme, opozita nuk e kupton që ka ndëshkuar edhe veten. Opozitarizëm nuk do të thotë kundërshti për gjithçka. Përjashtimi dhe izolimi i vetes nuk do të thotë që je në rrugë të drejtë, sepse e humb besimin kur thërret më kot e vazhdimisht: “ujku, ujku”, pa dalë kurrkund ujku.
Kjo qeveri nuk mund të përmbyset nga thirrjet e herëpashershme të Berishës e Topallit për revolta, për protesta, për “revolucion demokratik”, po qe se ndikimi i opozitës është ky që është. Vetëm ajo opozitë që ka aftësi të gjenerojë frymë, të jetë bindëse, të sillet drejtësisht e denjësisht me Fjalën dhe veçanërisht me të shkuarën e vet, duke krijuar mirëbesim, mund të ketë sukses e për pasojë mund të ndiqet pas nga populli. Suksesi i Ciprasit në Greqi dhe i Rencit në Itali, që përmbysën, për një kohë të shkurtër, klasën e vjetër, të diskredituar, nuk ka tjetër shpjegim. Sepse ata mundën të bashkonin fjalën me veprimin, ballafaquan fytyrën e vet me të kaluarën, bashkuan sinqeritetin me politikën, ndershmërinë me premtimet, guximin me shpresën. Kjo na mungon. E jo vetëm opozitës. Vetëm se te opozita kjo ndihet më shumë për shkak se te opozita janë sytë e së ardhmes.
***
Sigurisht, për partitë dhe figurat tradicionale opozitarizmi i dëshiruar nuk mund të realizohet pa u vetëkrahasuar me ato që kanë pas bërë kur kanë pas qenë vetë në pushtet, si ka qenë, për shumë vjet, PD-ja e Berishës. Për fat të keq, opozita e sotme e Bashës ende nuk ka bërë analizë e nuk ka kërkuar ndjesë për gabimet, gjynahet, korrupsionin, dëmet, mëkatet dhe fajet që ka pas bërë, me apo pa dashje, të cilat e çuan PD-në e Berishës “historik” në humbje, teksa Shqipërinë e lanë më të fundit për integrimin në Ballkan. Jo vetëm zgjedhësi, po as militantët e PD-së deri më sot nuk e dinë kush ishte përgjegjësi për humbjen. Jo për një, por për dy humbje.
Vështruar me këtë sy, “dorëheqja e parevokueshme” e Berishës dhe zëvendësimi i tij me Bashën, në të vërtetë nuk u perceptua si një ndërrim i detyrueshëm e logjik “kuajsh” pas humbjes, por si futje në shtëpi e një kollovari, e një “dhëndri brenda”, jo dhe aq për të krijuar bindjen, sesa iluzionin optik të ndryshimit të njëmendtë. Dhe si e tillë, ajo nuk mund të shërbente, si dhe nuk shërbeu, për rritje e për rikthim të besimit të humbur të zgjedhësve te opozita e sotme. Aq më tepër që propagandën dhe nismën opozitare vazhdon ta bëjë Berisha, ai që e udhëhoqi humbjen drastike. A mundet që i njëjti udhëheqës, pasi ka humbur dy a tri herë, ta rikthejë partinë e vet për të tretën herë në pushtet?
Është nga të paktat raste në botën demokratike kur një parti që i humbet kësisoj zgjedhjet, jo vetëm që nuk bën katarsis e nuk i ndëshkon me votë dhe me kritikë publike fajtorët e vet, – si kusht parësor për të rifituar besimin e humbur, – por herë direkt dhe ca më shpesh indirekt akuzon kundërshtarin për manipulim, ndërsa zgjedhësit si ca gjynahqarë të mashtruar e të gënjyer, të cilët pranuan të shesin votën ose për njëqind euro, ose për një thes me miell…Ky lloj opozitarizmi që e kërkon fajin jashtë shtëpisë, është njëlloj si të mos kurohesh, por ta kërkosh shkakun e sëmundjes te komshiu.
Për fat të keq, opozita e sotme e Bashës nuk ka guximin të ndalojë jo më fjalërimet diaretike në Kuvend të Berishës çdo të enjte, po as “Facebook”-un e tij, sikundër bëri ai bashkëshorti lushnjar me mbiemrin Trimi, i cili, meqë kujtonte se e tradhtonte gruaja dhe bëhej xheloz, pranoi në gjykatë pajtimin dhe kthimin në shtëpi të gruas plëngprishëse vetëm me kusht që ajo të mbyllte e të mos përdorte “Facebook”-un, d.m.th. lidhjet me të tjerët…Kurse kryetari Basha nuk i jep dot të drejtë vetes të kërkojë divorc politik me të kaluarën e pararendësit, por as të bëhet xheloz për ish-kryetarin e dorëhequr, i cili në fakt po e drejton aksionin politik e mediatik të partisë më shumë se vetë kryetari Basha.
Të gjithë shqiptarët e dinë tashmë se portreti, zëri, qëndrimet politike të Berishës, qoftë edhe ato që shprehen me “Facebook”, janë fytyra dhe fryma e vërtetë dhe e vetme e opozitës së sotme. Një parti që e ka kryetarin formal, nuk mund të ketë identitet dhe autoritet dhe as mund të mbjellë besim te militantët e vet.
Ky është dëmi më i madh që i bëhet jo Bashës, por opozitës. Dhe jo vetëm opozitës, po gjithë shoqërisë. Dobësia e kësollojtë e opozitës së sotme i krijon mundësi, hapësira e lehtësira qeverisë që të justifikojë gabimet dhe dështimet e veta me argumentin: ne ndoshta nuk jemi më të mirët, por ama jemi më të mirë se qeveria e Berishës…Politikisht dhe realisht kjo shqipërohet: po ikëm ne nga pushteti, a mos doni të qeveriseni sërish nga berishizmi?
Kjo ka bërë që të mos ketë fund konfliktualiteti; ndaj fituesin te ne më së tepërmi e përcakton vota kundër sesa vota pro. Mohimi sesa pohimi. Inati dhe mëritë sesa besimi. Kundërshtia, dyshimi dhe sherri sesa mirëkuptimi dhe toleranca. Tarafi dhe mercenarizmi, sesa bindjet dhe argumentet. Sepse opozita, duke gjeneruar ide e qëndrime refraktare, duke vepruar e qëndruar në ekstremitet, duke votuar përherë kundër reformave, edhe ndaj atyre që i lipsen shoqërisë dhe që i kanë kërkuar e miratuar ndërkombëtarët, beson se në shoqërinë tonë ka më tepër vlerë mësymja dhe yryshi, d.m.th. lypja e votës kundër, se e votës pro.
Një opozitë e cila, si në fillimet e pluralizmit, e vlerëson zgjedhësin si një qenie primitive, pa kokë e pa kulturë të mjaftueshme demokratike, d.m.th. pa gjykim të mëveçëm, si një tufë militantësh që nuk ka nevojë për bindje, që mund të drejtohet më kollaj nga instinktet e turmës, dhe, nga nderimi pa kushte për kultet, pas 25 vite zhgënjimesh, e ka tepër të vështirë të krijojë akses te shumica e nevojshme për të formuar qeverinë. Derisa ne si qytetarë jemi të detyruar të mos votojmë alternativën, partinë dhe liderin më të mirë, por të zgjedhim të keqen më të vogël, duke mbetur, për pasojë, përherë në qorrsokak, faj për këtë rropamë, pa dyshim që e ka opozita.
***
Nuk ka e nuk gjen një shembull të dytë, as nëpër monarkitë arabe, që monarku i dorëhequr nga froni t’i diktojë e t’i sillet nëpër këmbë pasuesit, mëkëmbësit të tij, si vepron Berisha me Bashën. Nuk mund të përfytyrohet që Klintoni të përcaktonte në publik politikën dhe sjelljen politike të Obamës, apo Shrëderi të Merkelit. Ashtu si një gjeneral që e humb luftën nuk pranon të veshë kapotën e kapterit, ashtu edhe një ish-president, apo edhe një tjetër ish-kryeministër, nuk mund të futet në rresht, si nëpunës, si zyrtar, n’daç edhe si deputet i thjeshtë, aq më pak të bëhet me pahir hije vendimmarrëse pas perdes të zëvendësuesit. Pikërisht kjo anomali në hierarkinë e opozitës ia bën të kollajtë luftën Ramës, deri aty sa talljen dhe cinizmin, ndonjëherë edhe poshtërimin, t’i bëjë armë efektive të luftës dhe të propagandës kundër një opozite deledash.
Basha duhet të kuptojë se opozitarizmi nuk mund të bëhet as me fytyrën e Topallit e as me atë të Berishës. Sepse këtyre të dyve, edhe kur ndodh të thonë e të mbrojnë ndonjëherë të vërtetën, është e vështirë t’u besohet. Është e vështirë t’i besohet Topallit, si ish-kryetare Kuvendi, kur sot, në opozitë, si deputete e thjeshtë, kërkon me nervozizëm respektimin e opozitës në Kuvend; ashtu si luftën kundër korrupsionit, atë “të duarve të pastra”, t’ia lësh sërish në dorë Berishës. Kësisoj, që në fillesë çfaktorizohet e, për më tepër, edhe delegjitimohet aksioni i opozitës, duke vetëdalë jashtë loje.
Disa analistë këtë dukuri e quajnë fat të Ramës dhe të Metës, por nuk thonë që ky lloj opozitarizmi në të vërtetë mbjell e sjell mbrapshti e vështirësi për ecurinë e mëtutejme të shoqërisë sonë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: