MALËSI E MADHE
Kryedemokrati Lulzim Basha ka udhëtuar sot drejt Malësisë së Madhe, ndërsa po zhvillon një takim me mbështetësit e selisë blu dhe qytatarët. Në takim me disa biznese familjare, Basha tha se mungesa e drejtësisë i ka çuar shqiptarët drejt dëshpërimit. Sipas tij, kjo qeveri ka ngritur trarë të padukshëm dhe po zhvat bizneset duke i detyruar të mbyllin aktivitetin e tyre.
Një pronar biznesi në Koplik iu ankua kryedemokratit, Lulzim Basha teksa tha se të gjithë kanë frikë të dalin në Shkodër pas vrasjeve të fundit që kanë tronditur qytetin verior. Kreu i selisë blu pohoi se vendi është kapur nga 5 oligarkë me në krye kryeministrin, Edi Rama dhe kjo është burimi i largimit të shqiptarëve dhe mungesa e perspektivës.
Gjithashtu Basha bëri apel që të zbardhet një orë e më parë vrasja e vëllezërve Bilali, por edhe rastet të tjera. Ai tha se nëse kjo nuk zbardhet atëherë shtohen dyshimet se në këtë ngjarje mund të jetë i përfshirë edhe vetë shteti.
Bashkëbisedim me qytetarët:
Qytetari: Kemi frikë me dal në Shkodër me pi kafe.
Basha: E tmerrshme ajo që ka ndodhur, edhe thonë bandat po hanë kokat e njëri tjetrit, po policia me çfarë paguhet?
Qytetari: Po ku dinë unë, duke kaluar rrugës ndoshta më kap mua.
Basha: Edhe ka ndodhur, njerëz të pafajshëm. Ajo vrasje duhet zbardh, pasi aty ka njerëz të përfshirë në mënyrë të pafajshme, që kanë dhënë kontribut edhe për Shkodrën edhe demokracinë ose për ndryshe ka gisht shteti. Rrugë tjetër nuk ka. Drejtësi nuk ka, mundësi nuk ka. Drejtësi nuk ka dhe kjo i ka sjellë njerëzve dëshpërimin. Tatimorët sillen si harbutë dhe vijnë për të zhvatur bizneset. Njerëzit duhet të punojnë me ndershmëri dhe me një garë. Duhet një ndryshëm i madh që të përfaqësojmë të gjithë këtë ndryshim. Pesë vetë e kanë kapur këtë vend. Ky sistem duhet shembur. Rama është i ikur edhe ai e di. Ne nuk luftojmë për pushtet.
