Ky është një sezon zhgënjyes për Realin e Madridit, por deri në fund të sezonit mund të kthehet në një katastrofë të vërtetë me skuadrën “los blankos” që rrezikon të thyejë të gjithë rekordet negative në historinë e saj. Madje në një rast ia ka dalë ta bëjë një gjë të tillë. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, që Reali të ndryshonte tre trejnerë në një sezon të vetëm: nisi me Julen Lopetegui, vazhdoi me Santiago Solarin dhe tani me Zinedine Zidane.

Por janë shifrat e tjera ato që konfirmojnë krizën në shtëpinë “merengues”. Në 49 ndeshje të këtij sezoni në të gjithë turnetë ku ka marrë pjesë, Reali Madridit ka pësuar 60 gola, po aq sa Sevilja dhe më pak vetëm se sa Hueska e vendit të fundit në La Liga.

Vazhdojmë më tej. Ndeshja e humbur të mërkurën kundër Valencias ishte e 15-ta sezonale: 9 në kampionat, 3 në Champions, 2 në Kupën e Mbretit dhe 1 në Superkupën e Europës. Hera e fundit që Reali Madridit kishte kapur kuotën e 15 humbjeve ishte në sezonin 1993-1994. Por kur mbeten edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, “los blankos” mund ta kalojnë këtë rekord negativ.

Një tjetër zhgënjim i madh mund të vijë edhe nga renditja. Kur kanë mbetur tetë sfida për t’u luajtur në La Liga, Reali Madridit e sheh veten me 13 pikë më pak se kryesuesit e Barcelonës. Kjo do të thotë se madrilenët janë shumë pranë një rekordi historik, pasi asnjëherë më parë nuk e kanë mbyllur kampionatin me 17 pikë më pak se rivalët e përjetshëm katalunjas. Nuk është rastësi që ky sezon për t’u harruar pason vendimin për të shitur Cristiano Ronaldo te Juventusi dhe me shumë mundësi i paraprin një revolucioni të vërtetë në skuadrën “los blankos”.
(balkanweb)
