TIRANE

I ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën në News24, zv/ministri i brendshëm Julian Hodaj, sqaroi vendimin e miratuar nga qeveria për krijimin e shoqërisë tregtare shtetërore me emrin “Illyrian Guard”, e cila do të ofrojë shërbime me pagesë ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë.

Hodaj tha për krijimin e kësaj shoqërie punohet prej më se një viti.

“Një nga objektivat kryesore të ministrisë së brendshme është edhe modernizimi i institucioneve të saj të varësisë. Ajo që ndodh në Shqipëri, sidomos kur vjen puna te teknologjia është të mbështetemi shumë te partnerët, sepse kapacitetet tona janë disi të kufizuar. Në vendet fqinje, Itali, por edhe në Europë, ka agjenci shtetërore, po kompani tregtari në pronësi të shtetit që kryen këtë lloj aktiviteti”,  u shpreh Hodaj.

“Sot institucionet shtetërore harxhojnë shuma të konsiderueshme për ruajtje fizike. Në shumë raste kur ndodhin incidente dhe policia shkon e bën një analizë, rezulton që në shumë vende, në shumë objekte, standardet e sigurisë nuk respektohen ose standardi i sigurisë nuk është ai i duhuri. Prandaj është menduar që një komponent, një departament, i kësaj shoqërie tregtare në pronësi të shtetit, të merret edhe me këtë pjesë që është ruajtja fizike e institucioneve njerëzore.

Ne mendoj se kjo do të sjellë edhe një standard të ri sigurie sepse mund të shfrytëzojë gjithë eksperiencat dhe njohuritë e policisë së shtetit, si struktura bazë ku mund të mbështetet, do minimizojë kostot për ruajtje nga buxheti i shtetit. Ne sot në policinë e shtetit kemi punonjës që për arsye të ndryshme nuk kanë avancuar në karriere, pra flasim për grada kryesisht të ulëta. Dhe duke pasur dëshirën për ë rinovuar policinë e shtetit, sepse edhe në vitet e fundit janë marrë goxha të rinj, kjo pjesë e këtyre punonjësve që nuk avancojnë dot në karrierë do të stimulohet që të lëvizë në këtë kompani”, vijoi më tej Hodaj.

I pyetur nëse krijimi i kësaj shoqërie tregtare do të prishë konkurrencën në treg, zv/ministri Hodaj u shpreh se jo domosdoshmërisht dikush do i drejtohet patjetër kompanisë shtetërore.

“Jo domosdoshmërisht, dikush do i drejtohet patjetër kompanisë shtetërore. Kjo vërtetë është kompani në pronësi të shtetit por është një subjekt privat në shtet, operon si gjithë të tjerët. Nuk janë pak rastet kur subjekte private që janë në pronësi të shtetit operojnë edhe në treg të lirë, boll që të jenë konkurruese. Në mos gaboj janë 231, janë shumë dhe të mendosh që nuk kanë as standardin minimal, besoj se do t’i selektojë tregu. Por ne mendojmë që futja e një aktori të fortë e të rëndësishëm do e rregullojë tregun. Kompanitë e tjera do arrijnë këtë standard”, vijoi më tej Hodaj.

Zv/ministri i Brendshëm tha ndër të tjera se kjo kompani përveç zhvillimit dhe mirëmbajtjes së sistemeve të sigurisë do jetë e lirë të zhvillojë edhe sisteme apo programe të teknologjisë së informacionit që mund t’ia ofrojë në mënyrë komerciale edhe privatit.

Vendimi për Illyrian Guard

Me propozim të ministrit të Brendshëm qeveria ka marrë vendimin për krijimin e një shoqërie tregtare shtetërore me emrin “Illyrian Guard”, e cila do të ofrojë shërbime me pagesë ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë. Me një kapital fillestar 10 milionë lekë të përballuar nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, “Illyrian Guard” është 100 % në pronësi të Ministrisë së Brendshme.

“Shoqëria “Illyrian Guard”, ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj”. Në vendim, thuhet se “të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen, me kërkesë, kësaj shoqërie, për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike”. Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., nga inventari i saj i pronave publike, mjediset e punës të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë. Më herët, në 4 mars, kryeministri Edi Rama nga Akademia e Sigurisë, paralajmëroi krijimin e kësaj shoqërie, duke dhënë edhe detaje nga organigrama e saj. E quajti një periudhë tranzicioni të butë për oficerët më të moshuar, të cilët janë në prag të pensionit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb