Nga: JORGJI KOTE*
Duket se gjithçka është gati për Takimin Vijues të Procesit të Berlinit në Vjenë më 26 dhe 27 gusht. Me një “katalog” të larmishëm…… që përfshin konsolidimin e mëtejshëm të mjedisit të paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin tonë, nëpërmjet nxitjes së dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet vendeve të rajonit, promovimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, investimeve strategjike, e deri te shtimi i kontakteve njerëzore, arsimore, kulturore, akademike, trajnimit, rinisë etj. Në axhendën e tij, krahas luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, pritet të trajtohet edhe shqetësimi i përbashkët lidhur me valët e azilkërkuesve edhe nga vendet e rajonit tonë. Për rrjedhojë dhe natyrshëm, axhenda e Vjenës është më e pasur, më e rënduar, por dhe më konkrete se takimi i mëparshëm i Berlinit.
Prania në Vjenë e Kancelares gjermane Merkel, nismëtare e këtij procesi historik, Kancelarit austriak Fayman, Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini, kryeministrave dhe ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit, rikonfirmon formatin më të lartë politik të mundshëm të këtij takimi tejet të rëndësishëm, sidomos në kushtet aktuale të rajonit tonë me problematikën e tij tashmë të njohur.
Duke vlerësuar drejt të gjitha fushat e lartpërmendura, le ta themi se pritshmëria më e madhe nga takimi i Vjenës është besueshmëria politike dhe publike e gjithë procesit të filluar një vit më parë në Berlin; që ai të mos jetë “flakë kashte”, apo vetëm me vlerë mediatike, as të reduktohet në një proces vetëm të elitës politike. Ndaj, si stacioni i dytë madhor i këtij rrugëtimi rajonal dhe evropian u zgjodh Vjena. Jo rastësisht, apo thjesht dhe vetëm për shkak të afërsisë së saj gjeografike ose politike me Berlinin, as për ndonjë konvejencë të rastit apo rotacion të zakonshëm diplomatik. Por sepse Vjena është metropol ndërkombëtar me emër dhe imazh publik ndërkombëtar shumë më të madh se madhësia e saj gjeografike, ku kryqëzohen natyrshëm dinastitë dhe traditat perandorake e ushtarake me ato muzikore, historike, politike etj.
Në Vjenë, kanë kaluar kalojnë edhe fijet e politikës dhe diplomacisë botërore. Vjena e Metternichut, “Princit” të diplomacisë evropiane që me finesën e tij të rrallë diplomatike e bëri të heshtte edhe Bonapartin e madh në kulmin e lavdisë së tij. Një nga protagonistët e mëdhenj të Koncertit të Vjenës që më 1815-ën ravijëzoi Evropën e re pas Ëaterlosë së Bonapartit.
Emri dhe aktiviteti i saj si nyje e diplomacisë ndërkombëtare, pa përjashtuar edhe dritëhije të njohura në të kaluarën, nuk ka mbetur vetëm në librat e historisë. Pas Luftës II Botërore, në Vjenë u vendos selia e disa organizmave të rëndësishëm të OKB-së, Agjencia e Energjisë Atomike Bërthamore dhe gjatë 40 viteve të fundit, aty në Hofburgun e famshëm edhe OSBE-ja. Vjena renditet në ato pak qytete që ka shërbyer si pikë takimi e më të “mëdhenjve” të politikës botërore. Kujtojmë takimin historik Kenedi-Hrushov më 1962-shin dhe të tjera në dekadat e mëvonshme.
Vjena i ka dhënë Evropës liderë dhe evropianistë politikë të shquar; e ndërsa princi trashëgimtar Ferdinand, i vrarë 1 shekull më parë gjatë vizitës së tij në Sarajevë, u bë “sebep” për shpërthimin e Luftës I Botërore, gjatë 70 viteve të fundit, personalitete të spikatura vjeneze dhe austriake, krahas kontributit të tyre për begatinë dhe demokracinë në Austri, kanë kontribuar ndjeshëm për paqen dhe sigurinë në Evropë e më gjerë.
Ndikim tjetër të ndjeshëm në imazhin dhe besueshmërinë e saj ka pasur fakti se Vjena dhe Austria janë të lidhura ngushtë historikisht me Ballkanin dhe vendin tonë, si “në ditë me diell, ashtu dhe me shi”. Lidhur me Shqipërinë, sa përmend Vjenën, mendja të shkon te muzeu i famshëm në kryeqendrën e saj, ku janë ekspozuar shpata dhe përkrenarja e heroit tonë kombëtar; pastaj te konstruktori i famshëm i Simeringut, Karl Gega. Ndërsa Burg Theater në Vjenë ishte skena e parë ku filloi shkëlqimi i gjenisë artistike të Moisiut tonë të madh me zërin e tij drithërues në kryeveprat botërore! Kjo listë nderi vijon me shumë personalitete të shquara nga të dyja vendet, albanologë, shkencëtarë, artistë etj. Në vazhdën e kësaj tradite, pas viteve ’90 u nxitën dhe zgjeruan ndjeshëm dialogu politik dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona. Austria renditet ndër vendet e para që ka mbështetur në mënyrë të gjithanshme e pa rezerva vendet e rajonit tonë dhe sidomos Shqipërinë në proceset reformuese dhe euroatlantike dhe ka njohur shtetin e pavarur të Kosovës.
Ndërsa nga viti 1996 e më tej, Vjena u bë dëshmitare dhe sidomos protagoniste e “diplomacisë së ecejakeve” ose siç njihet “shuttle diplomacy” me Tiranën zyrtare. Pas farsës zgjedhore të 26 majit 1996, shpërtheu dhunshëm kriza e paparë pas shembjes së skemave piramidale dhe në janar-shkurt 1997 vendi ishte në prag të humnerës.
Në atë periudhë të jashtëzakonshme, zgjidhja e vetme politike kishte mbetur OSBE-ja në Vjenë, organi më i besueshëm atëherë për zgjidhjen e ngërçit të paparë politik; themi kështu sepse aty ishin SHBA-të, BE-ja, Këshilli i Evropës etj. Ishin pothuajse të gjithë aktorët dhe faktorët me peshë politike e më gjerë. Këto të fundit ia besuan zgjidhjen e rebusit politik shqiptar kryeqytetit politik vjenez dhe ish-Kancelarit Vranitzky, i sapodorëhequr atëherë pas 12 vitesh të suksesshme në drejtimin e koalicionit të madh të social-demokratëve dhe konservatorëve. Askush nuk pati rezervën më të vogël ndaj asaj gjetjeje të spikatur. Dihet se, krahas përfshirjes së aktorëve madhorë të lartpërmendur, ishin karizma dhe përvoja e jashtëzakonshme e Franz Vranitzky-t, politikanit të lartë 24 karat dhe qetësisë së tij olimpike që bëri të mundur pas disa muajve që kriza të kapërcehej dhe vendi t’i kthehej normalitetit.
Edhe pse shteti u rivendos, sërish nuk qe e thënë që Vjena dhe komuniteti ndërkombëtar të çlirohej nga krizat shqiptare, që u bënë bashkudhëtare të procesit demokratik në vend. Në më të shumtën e rasteve ato kanë qenë kriza zgjedhore që u rishfaqën në vitin 2001, 2007 e 2009. Sërish OSBE-ja dhe ODIHR-i ishin tejet të zënë, duke ngarkuar diplomatët dhe ekspertët më të mirë të kësaj fushe. Më në fund, duket se komuniteti ndërkombëtar dhe politika shqiptare ia dolën mbanë të vënë në rrugë këtë problem, më madhori i demokracisë në vendin tonë, pa të cilët nuk mund të bëhet fjalë për demokraci të vërtetë dhe të bëjnë përpara në fushat e tjera, duke u ndeshur me jo pak pengesa.
Por, pritshmëritë realiste nga Takimi i Vjenës lidhen dhe me faktin se procesi i filluar në Berlin përfshin hartimin dhe realizimin e disa projekteve madhore energjetike, infrastrukturore, forcimin e bashkëpunimit në fushën e biznesit, rritjen e shkallës së punësimit etj., për të cilat dikasteret e linjave përkatëse kanë punuar fort gjatë këtij viti me homologët e tyre në rajonin tonë. Besueshmëria e këtij takimi në këtë fushë bëhet më e theksuar kur mëson se gjatë përgatitjes dhe shqyrtimit të tyre është thithur aktivisht edhe mendimi dhe bashkëpunimi efektiv i Forumit të njohur Ekonomik të Vjenës. Drejtues i këtij forumi është një mik tjetër i shquar i vendit tonë prej vitesh, ish-zv.Kancelari dhe ministri Federal i Ekonomisë austriake, Dr. Erhard Busek. Pasi la disa vite më parë drejtimin e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore që u kthye në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, Busek ka ardhur shpesh edhe në vendin tonë, duke drejtuar forume dhe veprimtari të rëndësishme ekonomike.
Është dukuri pozitive se hapësira kohore njëvjeçare që ndan Berlinin me takimin e Vjenës është mbushur me ngjarje, projekte dhe veprimtari rajonale të shumta, të cilat kanë ndikuar në krijimin e një atmosfere dhe klime politike më tolerante, më mirëkuptuese dhe me frymë më të madhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit. Janë përmendur dhe më parë të rejat inkurajuese në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, sidomos vizitat e kryeministrave të të dyja vendeve, “Bisedimet e Tiranës” në muajin maj, roli konstruktiv i diplomacisë sonë etj. Këto veprimtari janë shoqëruar edhe me shpeshtimin e kontakteve ndërmjet titullarëve dhe ekspertëve të ministrive më të rëndësishme të ekonomisë, transportit, energjetikës dhe turizmit.
Natyrisht, nuk ka kurrfarë vendi për t’u kënaqur; jo vetëm se përballemi me sfida të vështira në realizimin e reformave të nisura apo në vijim, por edhe sepse “steka” e kërkesave dhe standardeve që kërkohen për t’u arritur është ngritur ndjeshëm krahasuar me disa vite më parë, si brenda secilit vend, ashtu dhe në bashkëpunimin mes tyre. Por, natyrisht ato nuk mund të realizohen brenda natës apo dhe brenda një viti.
Ndaj dhe Vjena, me gjithë rëndësinë dhe arritjet e saj të pritshme, është dhe mbetet stacion madhor i ndërmjetëm në rrugëtimin historik që do të vijojë vitin tjetër në Paris, me destinacion përfundimtar Brukselin. Me të drejtë është pohuar se takimi i Vjenës nuk ka lidhje direkte me datën e hapjes së negociatave; por, faktet e treguara më lart tregojnë se ky takim përbën dëshmi tjetër bindëse si për vetë vendet tona, ashtu dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë. Aq më tepër që, siç u përmend dhe më lart, bashkë me Berlinin, Parisin dhe vende të tjera aleate, Vjena do ta bëjë edhe më të besueshëm procesin tonë të reformave madhore dhe të aderimit në BE.
(g.b/GSH/BalkanWeb)
