DURRËS
Partia Demokratike në Durrës ka nisur punën që t’iu vijë në ndihmë qytetarëve që kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në protestën e orës 18:00 para godinës së kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Dega e PD-së në qytetin bregdetar ka vënë në dispozicion autobusë për të gjithë qytetarët që nuk kanë mundësi të udhëtojnë me mjetet e tyre personale drejt Tiranës.
Sipas PD-së, autobusët janë vendosur njëri tek selia blu në qytet, por ka edhe të tjerë në dispozicion të qytetarëve dhe protestuesve tek Muzeumi, Këneta, Sukthi dhe në Manëz.
Burimet brenda PD-së në Durrës i thanë “BalkanWeb” se gjithsej në dispozicion të qytetarëve janë 20 autobusë, konkretisht 10 të tillë me nga 50 vende dhe gjysma tjetër me 30 vende. Gjithashtu po sipas PD-së, pritet që të udhëtojnë drejt Tiranës edhe 5 mijë qytetarë të tjerë të organizuar me autovetura. Nisja e tyre drejt Tiranës do të bëhet nga ora 16:00.