VJENË– Më shumë se 70 trupa të emigrantëve të vdekur u nxorën një ditë më parë nga një kamion i braktisur, pas zbulimit nga forcat e ndihmës së shpejtë në një autostradë në lindje të Austrisë, pranë Hungarisë dhe Sllovakisë.

Ministria e Brendshme e Austrisë ka bërë të ditur se 71 trupa, që besohet se u përkasin migrantëve, kanë qenë në një kamion të braktisur, i cili është gjetur të enjten në një autostradë, pranë kufirit me Hungarinë.

Në një konferencë për media në Vjenë, Hans Peter Doskozil, shef i policisë së rajonit Burgendland, ku është gjetur kamioni, ka bërë me dije se në mesin e viktimave janë 59 burra, tetë gra dhe katër fëmijë.

Viktima më e re është një vajzë 2-vjeçare.

Ata, po ashtu, kanë thënë se tre persona janë arrestuar në lidhje me tragjedinë.

Ministrja e Bendshme e Austrisë, Johanna Mikl-Leitner, ka thënë se pronai i kamionit dyshohet se ka shtetësi bullgari dhe është me prejardhje nga Libani.

Ekipet mjekoligjore kanë thënë se viktimat, me gjasë, kanë qenë të vdekura kur kamioni ka hyrë nga Hungaria në Austri, por nuk është e qartë se si kanë vdekur.

Forcat policore të Austrisë dhe të Hungarisë janë duke punuar së bashkur për të gjetur shoferin e kamionit.

Kamioni me viktima mban logon e një kompanie sllovake të pulave Hyza.

Kjo e fundit ka thënë përmes një deklarate se automjeti nuk i përket më firmës, porse pronarët e rinj nuk e kanë hequr logon.

Policia e Shtetit austriak dhe atij hungarez kanë nisur një proces të përbashkët hetimor.
Kjo tragjedi u njoftua ndërsa kancelarja Angela Merkel ishte e ftuar në Samitin e Vjenës me liderët e Ballkanit Perëndimor që bënë thirrje për një “plan veprimi” si dhe mirë menaxhimin e çështjes së emigrantëve drejt BE-së.

Dhjetëra-mijëra migrantë nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë kanë bërë përpjekje të arrijnë Evropën gjatë muajve të fundit.

Një numër rekord prej 107,500 migrantësh kanë kaluar kufijtë e Bashkimit Evropian, muajin e fundit.

Shumica e tyre paguajnë shumë të mëdha për trafikantet që i kalojnë në mënyrë të paligjshme ne kufi.

Shumë migrantë vazhdojnë të vdesin edhe gjatë përpjekjeve për të arritur Evropën përmes Detit Mesdhe. Qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur pasi dy anije me afro 500 migrnatë brenda, janë mbytur në brigjet e Linisë të enjten.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: