LEZHË- Dy punonjës policie të burgut të Shënkollit dhe një 51-vjeçare janë vënë në pranga për shitje droge. Zyrtarisht nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë bëhet me dije se është bërë arrestimi në flagrancë i shtetases Mrikë Lazri, 51 vjeçe, banuese në Luf të Pukës.
Arrestimi i saj u bë pasi, rreth orës 08:20 të ditës së djeshme, në burgun e Shënkollit në Lezhë, tek dhoma e kontrollit të familjarëve për takim me bashkëshortin e saj, i është gjetur dhe sekuestruar 1.35 gram lëndë Canabis Sattiva.
Në cilësinë e provës materiale ju sekuestrua dhe një telefon i markës “Samsung” dhe 4300 lek të rinj.
Po kështu dje është arrestuar në kushtet e flagrancës edhe Miklovan Kuliçi, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në Burgun e Shënkollit.
Arrestimi i tij u bë pasi, duke qenë me shërbim dhe nga monitorimi i veprimeve të tij nëpërmjet kamerave është konstatuar dhe fiksuar se diçka ka nxjerrë nga trupi duke e hedhur në krahun e djathtë të tij. U konstatua dhe u sekuestruan 3.55 gram lëndë cannabis sattiva.
Personi i tretë i implikuar në shitjen e narkotikëve në burgun e Shënkollit sipas policisë së Lezhës është Ram Toskaj, 45 vjeç, banues në Babrru Tiranë, punonjës policie në këtë burg.
Arrestimi i tij u bë pasi, nga hetimet e para rezulton se ky shtetas të jetë i implikuar në veprën penale të prodhimit dhe shitjes narkotikeve për punonjësin e policisë burgut M.K.
Për të tre personat e arrestuar materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
(m.k/BalkanWeb)