Pas një sezoni zhgënjyes dhe të dominuar nga Barcelona, te Reali Madridit janë shumë pranë revanshit të parë ndaj rivalëve të përjetshëm. Gjithçka lidhet me emrin e Luka Jovic, një objektiv në merkato i të dy klubeve. Mediat spanjolle, sidomos ato madrilene shprehen të sigurta se sulmuesi serb do të bashkohet me skuadrën e drejtuar nga Zinedine Zidane sezonin e ardhshëm.

Një konfirmim për këtë vjen edhe nga Fredi Bobic, drejtori sportiv i Eintracht Frankfurt, skuadra që ka në pronësi kartonin e 22 vjeçarit. Sipas tij, nëse futbollisti kërkon të largohet dhe në drejtim të tij ka një ofertë të rëndësishme, atëherë klubi gjerman nuk do ta pengojë. Dhe Real Madrid e ka gati propozimin e tij financiar, që nuk mund të refuzohet.

Florentio Perez është shprehur i gatshëm të shpenzojë 70 milion euro për të marrë shërbimet e sulmuesit serb, protagonist i një sezoni të shkëlqyer në Bundesligë dhe Ligën e Europës, ku Eintracht Frankfurt do të luajë në gjysmëfinale. Luka Jovic është ndjekur gjatë edhe nga Barcelona, por klubi madrilen është i favorizuar në këtë operacion të rëndësishëm në merkaton e verës.
(balkanweb)
