MILOT
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Miloti tha se opozita e bashkuar nuk do të lejojë që më 30 qershor të mbahen zgjedhje fasadë. Basha u shpreh se largimi i Ramës është kusht i panegocueshëm i PD dhe i shqiptarëve të lirë.
“Nuk do të lejojmë për asnjë moment që të ketë zgjedhje fasadë. Largimi i Ramës është kusht i panegocueshëm i PD dhe i shqiptarëve të ndershëm. Ne jemi të gatshëm për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë sociale dhe ekonomike. Sot vendi ndodhet në një krizë të thellë, me një rini që ikën, në vend që të gjente të ardhmen në Shqipëri, në atdheun e tyre”, deklaroi Basha.
Lulzim Basha theksoi se largimi i Edi Ramës është emergjencë kombëtare. Ai shtoi se krijimi i një qeverie tranzitore mund të shmangë ndonjë përballje të mundshme mes popullit dhe gjakatarëve që janë sot në pushtet.
“Largimi i Edi Ramës është emergjencë kombëtare. Krijimi i një qeverie tranzitore mund të shmangë edhe përballjen mes popullit shqiptar e kësaj klike kriminale e gjakatare.
Opozita dëshiron një Shqipëri europiane, që marshon drejt punës dhe mirëqenies. Ramës dhe bandës së tij po i mbaron koha, se 30 qershori do të jetë dita e triumfit të shqiptarëve të lirë. Nuk lejojmë krimin elektoral në atë ditë, për asnjë moment”, tha Basha.
(d.xh/ Balkanweb)