NGA FATMIR POPJA*
ELBASAN- Nënë e bir nuk kanë mundur dot të durojnë dhunën fizike dhe psikologjike të kryefamiljari e kanë vendosur të vetëflijohen duke pirë një sasi të konsiderueshme medikamentesh. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së hënës në një fshat të Elbasanit, por fatmirësisht të dy kanë arritur të mbijetojnë.
Sipas burimeve zyrtare nënë e bir, Lindita Lamçja, 50 vjeçe dhe Bruno Lamçja, 20 vjeç, me banim në fshatin Jagodinë të Elbasanit, kanë vendosur ti japin fund jetës. Ato dyshohet se në depresion nga dhuna psikologjike e fizike e ushtruar ndaj tyre kishin konsumuar një sasi medikamentesh që ndodheshin në banesë. Shkak është bërë dhuna e ushtruar sistematikisht nga kryefamiljari, i cili edhe natën e fundit në gjendje të dehur i kishte dhunuar fizikisht.
Sipas fqinjëve, mësohet se prej më shumë se një viti ata dhunoheshin nga kryefamiljari, edhe pse herë pas here e kishin paralajmëruar se do të vetëvriteshin në rast se ai do të vijonte me keqtrajtimet.
Por edhe ky “kërcënim” nuk e ka trembur kryefamiljarin, i cili vazhdonte të ushtronte jo vetëm dhunë fizike por edhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe djalit të tij të vetëm. Ky ka qenë edhe shkaku ku nëna mëngjesin e së hënës ka parë djalin, i cili kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme medikamentesh dhe në gjendje depresive ka bërë dhe vetë të njëjtën gjë. Kanë qenë fqinjët ata që kanë hyrë në banesën e tyre, ku i kanë gjetur nënë e bir në gjendje të rëndë.
Menjëherë ata kanë lajmëruar ambulancën dhe Policinë duke bërë të mundur edhe transportimin e tyre për në Spitalin rajonal të Elbasanit. Sipas stafit mjekësor të repartit të reanimacionit mësohet se nënë e bir janë në gjendje të rëndë por që fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, pasi ata kanë mbërritur në kohë në spital. Sakaq Policia ka nisur hetimet, duke bërë shoqërimin në komisariat të kryefamiljarit për të zbardhur të plotë rrethanat e ngjarjes.
(ma.ar/BalkanWeb)
