TIRANË- Prokuroria e Tiranës jep sot detaje të reja nga arrestimi i 32-vjeçarit Alban Mero ditën e djeshme në Fushë-Mëzez gjatë operacionit të koduar “Tekniku”. Sipas organit të akuzës, policia i është vënë pas Meros pasi dyshohej për vjedhjen e 2 mln lekëve të vjetra në shtëpinë e parukieres së lagjes. Vjedhja është kryer kur në shtëpinë e shtetases L.B. ndodheshin fëmijët e saj. Më pas, gjatë kontrollit që është ushtruar në shtëpinë e 32-vjeçarit janë gjetur dhe armë dhe rreth 500 gram kanabis. Ai ka thënë se armët kanë mbetur nga viti 1997, ndërsa lëndën narkotike e kishte blerë një vit më parë për të kuruar të atin. Mero nuk ka pranuar vjedhjen në shtëpinë e parukieres.

AKUZAT
Më datë 30.08.2015, nga Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, komisariati i Policisë Nr.3, ka ardhur materiali i arrestimit në flagrancë të shtetasit A. Mero i dyshuar për veprat penale të “Vjedhjes”, “Prodhim dhe shitje te narkotikeve”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.

VJEDHJA
Më datë 29.08.2015 rreth orës 12:00 është njoftuar nga salla operative se në rrugën “Jordan Misja” kishte ndodhur vjedhja e banesës së shtetases L.B. Nga ana e shërbimeve të policisë  u kalua në vendin e ngjarjes ku u konstatua se persona të paidentifikuar kishin thyer derën e dhomës së gjumit të banesës së shtetases L.B. dhe kishin vjedhur një sasi prej 200.000 lekësh të reja. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk u gjetën gjurmë papilare, por u morën disa objekte, qese plastmase ku dyshohet se mund të ketë gjurmë të vlefshme për identifikim.

Nga deklarimi i shtetases, L.B. rezultoi se kjo shtetase kishte dale nga banesa rreth orës 09:30 dhe kishte shkuar tek një ambient pranë banesës së saj, ambient të cilin e kishte përshtatur si parukeri. Në banesë ajo kishte lënë djalin dhe vajzën e saj. Derën e dhomës së gjumit ajo e kishte mbyllur. Rreth orës 11:40 ishte njoftuar nga vajza e saj që dera e dhomës ishte e thyer dhe rrobat ishin bërë rrëmujë. Kjo shtetase dyshon tek disa persona, banorë të zonës.

ARRESTIMI
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rezultoi se një ndër personat e dyshuar për këtë vepër penale ishte shtetasi A. Mero. Menjëherë pas identifikimit është ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë si dhe në një depo brenda oborrit të banesës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet e mëposhtme:

Një sasi lënde bimore me ngjyrë jeshile, e ngjashme në erë dhe karakteristika si ajo e bimës narkotike Cannabis Sattiva, me peshë 581.8 gramë;

Një pistoletë kalibër 8 mm (pa numër), së bashku me një krehër me 18 cope fishekë; Një pistoletë, së bashku me një krehër me 3 copë fishekë në të;

Një pushkë model-56, kalibër 7.62 mm, me qytë dhe tytë të shkurtuar, pa gypin e gazrave, së bashku me një krehër me 6 copë fishekë në të;

Një pushkë sportive pa numër; Një arme gjahu; Tre krehra ku secili prej tyre me nga 5 copë fishekë; Dy maska me ngjyrë të zezë;

Një fenelinë me dy llamba me ngjyrë të zezë dhe gri; Tetë aparate telefoni celularë të markave të ndryshme; Një dylbi arme; Një palë dylbi me ngjyrë të zezë; Një qese me pulla fiskale me mbishkrimin Ministria e Financave; Një elektrik me ngjyrë të zezë, si ato që vendosen në kokë.

Pas konstatimit të sendeve të mësipërme, është bërë arrestimi në flagrance i shtetasit A. Mero, i cili ka deklaruar se lëndën narkotike, armët luftarake, armët sportive si dhe municionet që janë gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e policisë në banesë janë të tijat. Ai sqaron se armët luftarake dhe municionet kanë mbetur në banesën e tij që nga viti 1997, ndërsa lëndën narkotike cannabis sativa e ka blere para 3 vitesh për qëllime mjekësore, konkretisht për të kuruar babain e tij të sëmurë. Ai e ka mohuar faktin që të ketë kryer vjedhjen e banesës së shtetases L.B.

Nga kontrolli personal i shtetasit A. Mero atij i janë gjetur një sasi prej 61.000 lekë të reja, për të cilat ai deklaron se kishte kursyer prej disa kohësh.

Nga deklarimi i të arrestuarit, ka disa mospërputhje, gjë e cila krijon dyshime të bazuara se ky shtetas është autor i mundshëm i vjedhjes së banesës së shtetases L.B.

Është bërë sekuestrimi i sendeve të përshkruara me lart, si dhe janë përpiluar vendimet përkatëse për lëndën narkotike, armët dhe fishekët.

Në  këto rrethana shtetasi Alban Mero, mbi bazën e dyshimeve të bazuara në provat e administruara ka konsumuar elementët e veprave penale për të cilat ai është i dyshuar.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb