MEMALIAJ
Një krim brenda familjes që është konsumuar në prani të fëmijëve. Kjo është ajo që ka ndodhur në fshatin Vagalat, njësia administrative Luftinjë.
53-vjeçarja Antoneta Hoxha është vrarë nga bashkëshorti i saj, i cili sipas burimeve për “BalkanWeb” ka pranuar krimin në polici ku është marrë në pyetje pas ngjarjes së rëndë. “E vrava unë. Debatuam, nuk durova dhe e qëllova. Nuk doja të vdiste”, ka thënë 63-vjeçari.

Gruaja u gjet pa jetë në banesën e saj dhe me shenja dhune në kokë dhe trup. Pikërisht këto shenja ngjallën dhe dyshimet e policisë e cila ka marrë në pyetje bashkëshortin e saj dhe ka zbardhur ngjarjen.
“Pas njoftimit të marrë se shtetasja A.H., banuese në fshatin Vagalat, Bashkia Memaliaj, u gjet nga familjarët e pajetë në banesë, me dëmtime në kokë, menjëherë u ngrit grupi hetimor ku në bashkëpunim Prokurorinë kryen veprimet e para procedurale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët e Stacionit të Policisë Memaliaj nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër bënë arrestimi në flagrancë të shtetasit S.H., 63 vjeç, i cili ka vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen A.H., 53 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme”, deklaron zyrtarisht policia.
(BalkanWeb)
