*100 mijë imigrantë të shpërndahen në vendet e BE

Mijëra refugjatë kanë përshkallëzuar krizën në pikat kufitare të shteteve evropiane. Mijëra sirianë, afganë por dhe qindra afrikanë kanë mësyrë në metro dhe stacione treni gjermane, austriake, greke, maqedonase, britanike.

Zonat evropiane që deri dje nuk lejonin askënd të udhëtonte pa pasaportë ku lejohej udhëtimi në Shengen sot përballen me një gjendje që pritet të bjerë në kolaps. Refugjatë dhe emigrantë kërkojnë azil politik, ndërsa Gjermania i bën thirrje Italisë të forcojë kontrollet pasi nuk mund të përballojnë më fluksin e madh.
Gjermania i kërkon Italisë të kontrollojë rreptësisht kufirin në Brennero, pranë Austrisë pasi vala e refugjatëve të hyrë prej andej tanimë ndodhet në Berlin dhe kërkojnë azil politik në Gjermani.

Edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban u shpreh se populli në Evropë është “plot frikë”, sepse liderët e saj “nuk janë në gjendje” të kontrollojnë fluksin e madh të emigrantëve.

Duke folur pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, në Bruksel, Orban e ka përshkruar krizën me emigrantë si “problem të Gjermanisë” dhe jo Evropës.
“Askush nuk do të qëndrojë në Hungari. Puna jonë është vetëm t’i regjistrojmë ata”, ka thënë Orban.

“Vendet anëtare të BE-së, duhet menjëherë të ofrohen për të shpërndarë në vendet e tyre të paktën 100 mijë azilkërkues”, ka thënë Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk. Ai ka thënë se duhet të krijohen edhe qendra për azilkërkuesit, jashtë vendeve të Bashkimit Evropian.

Vendet e Eurozonës rane dakort që t’i shpërndajnë 32 mijë azilkërkues nga Italia dhe Greqia. Një propozim i ri nga vendet e BE-së, pritet të bëhet javën e ardhshme.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk ka thënë se qendrat për pritjen e refugjatëve duhet të ndërtohen afër zonave të luftës, jashtë Evropës. Sipas tij liderët e vendeve të BE-së, duhet të jenë të gatshëm për të ofruar më shumë të holla për krizën e refugjatëve.

Komentet vijnë në kohën kur së paku 2,000 emigrantë qëndrojnë të bllokuar në Budapest prej 1 shtatorit, pasi autoritetet hungareze kanë mbyllur stacionin e trenit për ta.

Shumica e tyre duan të udhëtojnë në Gjermani, por Hungaria thotë se po zbaton rregullat e Bashkimit Evropian. Sipas një rregulli të BE-së, i njohur si Rregullorja e Dublinit, refugjatët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të BE-së që hyjnë.

Policia ka rihapur sot stacionin e trenit Keleti, por kompania hekurudhore e Hungarisë ka thënë se ka pezulluar të gjithë trenat ndërkombëtarë drejt Evropës perëndimore.

E ndërsa po rriten tensionet mer liderëve europianë, ministri i jashtëm Miroslav Lajcak tha se, marrëveshja e Shengen-it mes 26 vendeve evropiane tashmë ka rënë pak e nga pak për cdo vend.

‘Janë dhjetra, qindra, mijëra persona që cdo ditë kalojnë kufirin pa u ndaluar dot. Pra pyetja që lind është, a kemi më zonë Shengen ne këtu?”

Në Austri, 24 refugjatë afganë janë shpëtuar nga një rimorkio kamioni që për pak u mori frymën, në Greqi, 4 mijë emigrantë pushtuan ishullin Kos në Greqi, mbi 1 400 ndodhen në Preshevë, për të mos folur mbi 3 mijë që pushtuan kufirin Maqedoni-Greqi. Tanimë kamionë ku fshihen refugjatë po kapen dhe në Hollandë, Norvegji, pa përmendur dhe shqiptarët që kërkojnë azil politik në Gjermani.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb