TIRANË- Kryedemokrati Lulzim Basha ka kërkuar sot dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta, njëherësh kreu i LSI-së duke u nisur nga një shkrim i BIRN, sipas të cilit kryeparlamentari Meta
ka marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani mbledhje borxhi që ka hedhur në gjyq OSHEE-në në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë.
“Avokatët e huaj të qeverisë shqiptare që po mbrojnë çështjen e OSHEE në arbitrazh, kanë deklaruar se kanë prova që Ilir Meta ka marrë rryshfet nga kompania e mikut të tij, Ismailaj, person që gjendet aktualisht nën arrest për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion”, shprehet Basha.
Duke u nisur nga ky shkrim Basha kërkon dorëheqjen e Metës që organet e hetimit të kryejnë punën e tyre më pas. Basha tha se “hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të korrupsionit në Shqipëri”, duke iu referuar investigimit të publikuar më herët nga mediat se avokatët që përfaqësojnë OSHEEnë në një
gjyq arbitrazhi ndërkombëtar në Vjenë, pretendojnë se kanë prova që Ilir Meta ka marrë ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj.
Deklarata e plote kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Jam sot këtu për ti kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, të nisë një hetim të shpejtë e serioz ndaj Ilir Metës, i cili akuzohet se ka marrë rryshfet nga kompania DIA, kompani që ishte kontraktuar nga CEZ, nën ndikimin e Ilir Metës për mbledhjen e borxheve të energjisë.
Faktet janë tronditëse dhe të publikuara tashmë në media.
Avokatët e huaj të qeverisë shqiptare që po mbrojnë çështjen e OSHEE në arbitrazh, kanë deklaruar se kanë prova që Ilir Meta ka marrë rryshfet nga kompania e mikut të tij, Ismailaj, person që gjendet aktualisht nën arrest për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion.
Kompania DIA e Ismailajt u krijua enkas për këtë biznes, për të mbledhur borxhet e CEZ, sipas Agjensisë së njohur BIRN, me lobimin e drejtpërdrejtë të Ilir Metës, i cili shkoi edhe në Pragë në zyrat qendrore të kompanisë çeke, për të ndikuar në kontraktimin e firmës në fjalë.
Avokatët e qeverisë shqiptare kanë zbuluar se firma e mikut të kryetarit të Kuvendit ka përfituar miliona euro, dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën.
Faktet janë publikuar. Dosja është e plotë. Çështja është shumë serioze.
Siç shprehet avokatja e qeverisë shqiptare Clifford Chance, hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të korrupsionit dhe mashtrimit në Shqipëri.
Korrupsioni, marrja e rryshfetit, përvetësimi i miliona eurove është kthyer në normë sjellje e Ilir Metës dhe Edi Ramës, është bërë zakoni i tyre. Por kjo është e papranueshme për ne, është e papranueshme për qytetarët shqiptarë.
Ne nuk do të lejojmë që korrupsioni e rryshfeti të sundojnë vendin.
Ilir Meta ia ka dalë ti shpëtojë drejtësisë më parë, duke ndikuar hetimet, për akuza shumë të rënda, duke i paracaktuar konkluzionet e hetimit me pushtetin e tij.
Ndaj, Partia Demokratike, dhe unë, kërkojmë sot dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës nga posti i tij, dorëzimin para drejtësisë pa imunitet, pa pushtetin e numrit dy të vendit.
Largimi i tij nga detyra është një parakusht që çështja të zbardhet e plotë.
Të shkojë para drejtësisë e të japë llogari për akuzat, si qytetar i thjeshtë.
Barazia para ligjit do të arrihet me çdo çmim. Drejtësia do të vendoset me çdo mjet. Nëse Ilir Meta e ortaku i tij Edi Rama do tentojnë sërish manipulimin, do të përballen me forcën e qytetarëve të bashkuar.
AKUZAT E BASHËS, VASILI: VËRTETËSIA E SHPIFJEVE SI SONDAZHI I SOROS 2013
Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për integrim, z. Petrit Vasili, duke reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike, theksoi se është e drejtë e z. Basha dhe cilido tjetër si ai që të jap dorëheqjen duke shtuar se z. Meta e tejkaluar planin e dorëheqjeve me kohë.
“Z. Meta e tejkaluar me kohë planin e dorëheqjeve. Është e drejtë e z. Basha dhe cilido tjetër si ai që të japë ose jo dorëheqjen. Vërtetësia e shpifjeve të tilla është si vërtetësia e sondazhit të SOROS në vitin 2013”,- theksoi z. Vasili.
Në vijim të deklaratës së tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, theksoi se ccdo kërkesë e opozitës që do të bëhet në rrugë zyrtare do të trajtohet me prioritet në Kuvendin e Shqipërisë.
(ma.ar/BalkanWeb)
