BERAT- Autori i vrasjes së 28- vjeçarit në fshatin Lybeshë të Beratit, ka kërkuar dje falje për krimin e rëndë. I veshur me të njëjtat rroba siç ishte në momentin e arrestimit, 34- vjeçari, Fatmir Bregu, shfaqi pendesë para trupit gjykues.

Prokuroria e ka akuzuar atë për veprën penale të vrasjes me paramendim të Namik Gjikës, ngjarje që ndodhi më 31 gusht.

Organi i akuzës, në seancën e djeshme ku do të vlerësohej masa e sigurisë, kërkoi cilësimin si të ligjshëm të arrestimit të autorit të dyshuar dhe vendosjen ndaj tij të masës “arrest me burg”. Në gjendje të rënduar psikologjike, vetë i akuzuari është shprehur se ndihej i penduar dhe se e kishte kryer krimin në gjendje të dehur. “Nuk duhej ta kryeja atë veprim, se i mora jetën një njeriu. E dënoj edhe unë vetë krimin që kam kryer. Kërkoj falje. Unë kam qenë i dehur”, u shpreh 34- vjeçari në sallën e gjyqit, shkruan Panorama. Gjendja e rëndë psikologjike e tij, bëri që mbrojtja të kërkonte për klientin që të dërgohej në një spital psikiatrik, por gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e avokatit dhe vendosi “arrest me burg” për veprën penale “vrasje me paramendim”. Bregu ka folur shkurt në seancë, duke mos përmendur fare detaje të deklaratës së dhënë prej tij gjatë hetimit.

Sipas burimeve nga Prokuroria, pas arrestimit, 34­-vjeçari ka pretenduar se e kishte kryer krimin e rëndë pasi Namik Gjika i ngacmonte gruan. Këtë fakt ai nuk e ka përmendur në gjykatë, por vetëm ka kërkuar ndjesë, duke e cilësuar edhe vetë mjaft të rëndë krimin e kryer me dorën e tij. Në sallë është vënë re mungesa e të afërmve. Nuk ka të dhëna nëse bashkëshortja e tij, për të cilën ai pretendoi se ka vrarë, të ketë shkuar ta vizitonte në paraburgim. Mungesa e saj përforcohet edhe me paraqitjen e djeshme të tij në sallën e gjyqit, ku askush nga familjarët nuk ishte kujdesur t’i çonte as rrobat për t’u ndërruar. Ditën e ngjarjes, shkak i konfliktit mes tij dhe 28-­vjeçarit dyshohej të ishte një vijë për ujitjen e tokave. Ata nuk kanë arritur të arrinin në një marrëveshje për vijën e ujit dhe më pas konflikti precipitoi deri në përdorimin e armës nga ana e Bregut.

(m.k/Balkanweb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb