Nga: Vjollca Kongjoni*
TIRANË- Falja në xhaminë e Tabakëve në kryeqytet këtë të premte ka qenë e veçantë. Ngjarjet tragjike të azilantëve sirianë në Mesdhe kanë prekur zemrat e qindra myslymanëve shqiptarë, të cilët lutjen e sotme ua kanë dedikuar atyre. Por jo vetëm lutje, besimtarët kanë kontribuar financiarisht në ndihmë të emigrantëve sirianë që vijnë në vendin tonë. Këto fonde të mbledhura sipas imamit të xhamisë, do të shkojnë pranë qendrave të azilantëve sirianë në vendin tone.
“Ne si komunitet myslyman menduam që edhe ne në Shqipëri kemi amanetin tonë. Ndaj edhe menduam që me mundësitë që kemi të japim kontributin tonë se mbi të gjitha janë njerëz dhe ne duhet të shprehim një lloj mirësie për ta në këto çaste nevoje emergjente”, tha Elvis Naçi, Drejtor i mesazhit islam në KMSH.
Sikurse edhe në vendet e tjera edhe në Shqipëri, sipas Naçit, ditët e fundit fluksi i azilkërkuesve sirianë është shtuar.
“Ne kemi lidhur një marrëveshje me qendrën e azilkërkuesve dhe çfarëdo të holla që janë mbledhur këtu, ne do ti çojmë në këto qendra, për çështjet më minimale të tyre, për veshje dhe ushqim e pse jo edhe me një lutje ndaj zoti”.
Naçi kërkon të sensibilizojë të gjithë ata persona që kanë mundësi të bëjnë bamirësi për qendrat e azilantëve sirianë që ndodhen në vendin tonë.
“Këtë radhë do të donim ta shtrinim sensibilizimin tonë edhe tek njerëz të tjerë që kanë mundësi dhe të ardhura sepse është në natyrën njerëzore që njeriu kur mendon për vete është njeri, ndërsa kur mendon për të tjerët ka arritur gradat më të larta të njerëzimit. Ndaj do ti bëja thirrje gjithkujt që të bëjnë bamirësi për qendrat e azilanëve sirianë që ndodhen në vendin tone”,- tha ai.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)
