ELBASAN
Në orët e vona të pasdites të së premtes, një aksident i rëndë automobilistik u regjistrua në aksin e rrugës kombëtare Librazhd – Elbasan. Gazetari Fatmir Popja raporton për “Balkanweb” se një furgon mallrash në vendin e quajtur “Çezma e Myftarit” doli nga rruga dhe më pas u rrokullis dhjetëra metra, duke përfunduar në rrjedhën e lumit Shkumbin.
Fatmirësisht, drejtuesi i furgonit të mallrave gjatë këtij aksidenti që tmerroi drejtuesit e automjeteve tek po kalonin në këtë aks rrugor në momentin e ngjarjes pësoi dëmtime serioze, por pa rrezik për jetën. Nxjerrja e tij nga furgoni në rrjedhën e lumit u bë me mjaft vështirësi me ndihmën e efektivëve të shërbimit zjarrfikës dhe policisë së Librazhdit.
Rrjedha e rrëmbyeshme e Shkumbinit për shkak të reshjeve e vështirësoi ndërhyrjen e forcave të shpëtimit për nxjerrjen e drejtuesit që ndodhej në furgonin e mallrave me targë AA 195 JX. Policia e identifikoi shoferin dhe ai është shtetasi Klajdi Murataj nga Tirana, i cili u transportua me ambulancë për në spital në gjendje të rëndë.
Fillimisht u dyshua se në automjet kishte patur të paktën edhe një person tjetër, por policia lokale bëri me dije se vetëm pak minuta para ngjarjes ky automjet i ishte nënshtruar kontrollit policor dhe se në të nuk kishte person tjetër përveç drejtuesit.
(d.xh/ Balkanweb)