NGA ENIDA HIMAJ*

Është bërë tashmë 1 vjeç djali i kantautorit të ndjerë Dr.Flori. I buzëqeshur ai pozon midis motrës së tij më të madhe Kaltrina dhe nënës së tij Blerina. Ishte pikërisht kjo e fundit që i publikoi këto foto të bukura në llogarinë e saj të “Facebook”-ut shoqëruar edhe me një urim për të birin në të cilin shkruhej: “1 vit bekim! Dashuria ime të uroj një jetë të gjatë plot dritë dhe mbushur me bekimet e Zotit. Love you to the moon and back!”.

Sigurisht nuk kanë munguar urimet e miqve dhe fansave të kantautorit, i cili vazhdon të jetojë me muzikën e tij. Danieli ishte vetëm 2 muajsh kur këngëtari u nda nga jeta. Përgjatë gjithë vitit, Blerina ka preferuar ta mbajë larg zhurmës mediatike imazhin e vogëlushit, por në këtë 1-vjetor, ajo ka ndarë me të gjithë bekimin e saj. Festimet për Danielin e vogël kanë nisur që herët me urimet e disa prej miqve VIP.

Ermal Mamaqi, Aurela Gaçe, Landi Hysa, Eglen Laknori, kanë qenë të parët që edhe kanë bërë publike urimet drejtuar vogëlushit. Nga aq sa kemi mundur të mësojmë nga burimet tonë, familja Kondi nuk do të organizojë një festë të madhe me rastin e 1-vjetorit. Meqenëse nuk ka kaluar as edhe një vit nga vdekja e Dr. Florit dhe familjarët janë ende në zi dhe për ditëlindjen e parë të Danielit kanë menduar vetëm një darkë të vogël familjare. Prindërit e këngëtarit, vëllai Albani, si dhe të afërmit e Blerinës do të festojnë në një darkë të thjeshtë në shtëpinë e Dr.Florit.

Por tjetër gjë ka menduar të bëjë shoqëria e kantautorit. Një festë surprizë me animatorë dhe shumë fëmijë është përgatitur për vogëlushin në ditën e tij të lindjes. Disa prej VIP-ve kanë menduar që të festojnë kështu ditëlindjen në mungesë të babait të Danielit dhe Kaltrinës. Natyrisht që kjo festë ka qenë një surprizë edhe për vetë Blerinën, që nuk ka ditur gjë deri në momentin e fundit. E kur është fjala për gjithë ato artistë të mbledhur bashkë, nuk ka sesi të mungojë edhe muzika e mirë.

Dhuratat që kanë ardhur në emër të Danielit kanë qenë të shumta. Lodra, veshje, por edhe para, kanë qenë vetëm disa prej dhuratave që ka marrë Danieli në këtë vit të parë lindjeje. Dhurata më e veçantë, por mesa duket edhe ajo që i ka pëlqyer më shumë vogëlushit, ka qenë një makina e madhe, me të cilën mund të luajë në shtëpi. Mamaja, Blerina i ka dhuruar djalit, por edhe vajzës, Kaltrina një set fotografik me të vërtetë emocionues. “Parajsa kishte nevojë për një hero, ndaj Zoti zgjodhi babain tim”, shkruhej në një ndër fotot që Blerina dhe Danieli kanë bërë së bashku.

(m.k/SummerPages/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: