Zëvendësministri i Brendshëm i vendit Besford Lamallari i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli ndër të tjera edhe për zbardhjen e vrasjes së ish-policit Arben Bilali.
Lamallari u shpreh se vrasësi është zbuluar, edhe për shkak se policia tanimë është bërë më profesionale.
“Mund të them se policia ka punuar shumë mirë për të arrestuar vrasësin e Arben Bilalit. Policia tashmë po vepron me metoda të avancuara për të zbuluar krime si vrasja. Policia ka arritur të jetë profesionale, duke vijuar që të punojë në drejtim të dokumentimit të çdo lloj krimi. Për vrasjen e Bilalit, është hetuar dhe është provuar plotësisht. Për motivet nuk mund të shprehem, duhet të presim organet e zbatimit të ligjit. Situata aktuale është totalisht nën kontroll. Vlerësoj shumë bashkëpunimin e qytetarëve me Policinë e Shtetit. Vihet re se qytetarët denoncojnë në mënyrë të vazhdueshme në numrin 112. Qytetarët janë aleatët tanë më të mirë dhe të besueshëm. Është e rëndësishme që media, të gjithë faktorë të ndikojnë që policia të shërbejë për qytetarët e vendit dhe në emër të ligjit”, shtoi Lamallari.
(d.xh/Balkanweb)
