Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka folur për përpjekjet e partive opozitare për rrëzimin e qeverisë së vendit, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Molliqaj tha në televizionin T7, se e konsideron veprim të mençur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos paraqitur mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës pa i siguruar votat e nevojshme.

Ai ka përshëndetur partinë e Isa Mustafës për “lëvizje të pjekur, në vend se t’ju hyjë aventurave”.

“Kosovës s’i duhen eksperimentet”, është shprehur deputeti i PSD’së, që po ashtu ndodhet në opozitë. Çdo dështim, që dihet që është dështim, nuk i ndihmon kauzës”, ka deklaruar ai në T7.

Sipas tij, ende nuk janë pjekur kushtet për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe për çuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

“Nevojitet edhe pak kohë, në bisedimet PSD, LDK, VV, Alternativë e tjerat”, është shprehur Molliqaj.

Sipas tij, ekzistojnë “gjasa reale” që rrëzimi i qeverisë të ndodhë në tetorin e këtij viti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: