LITUANI- Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj iu akordua dje çmimi i Ditës Botërore Pa duhan në shenjë vlerësimi për punën e tij lidhur me kontrollin e duhanpirjes në Shqipëri, çmim ky i dhënë nga Drejtorja e Përgjithshme e Organizatës Botërore të OBSH-së, Dr. Margaret Chan dhe Drejtorja Rajonale e OBSH-së për Evropën, Dr. Zsuzsanna Jakab.
Ceremonia e dorëzimit të çmimit u organizua gjatë mbledhjes plenare në ditën e dytë të Sesionit të 65-të të Zyrës Rajonale të OBSH-së për Evropën, që po zhvillohet në datat 14-17 në Vilnius, Lituani.
“Që kur mori detyrën e Ministrit të Shëndetësisë në shtator 2013, zoti Beqaj ka demonstruar aftësi drejtuese dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për fuqizimin dhe zbatimin e KKKD-së së OBSH-së përmes veprimeve që variojnë që nga miratimi i akteve legjislative e deri tek ndërtimi i marrëdhënieve të partneritetit me popullin e Shqipërisë, për të marrë mbështetjen e tyre të plotë”, tha Dr. Zsuzanna Jakab.Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj Nderohet nga OBSH me Çmimin Botëror Jo Duhanit (1)
Më tej, ajo shtoi se ky çmim u dha në shenjë vlerësimi të përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë, nën udhëheqjen tuaj të mençur, për të luftuar epideminë e duhanit.
Shqipëria e ratifikoi Konventën Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (KKKD) në vitin 2006. Në të njëjtin vit, u miratua edhe një ligj i ri për kontrollin e duhanit, por zbatimi i tij mbeti i dobët për shkak të mungesës së vullnetit të fortë politik dhe udhëheqjes.
Sipas Dr. Zsuzsanna Jakab, nëse Shtete të tjera nuk ndërmjarrin veprime urgjente, duhanpirja mund të shkaktojë deri në 8 milion jetë të humbura globalisht deri në vitin 2030.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) jep çdo vit çmimin e Ditës Botërore Pa Duhan (World No Tobacco Day) për individë dhe organizata të përzgjedhura me kujdes në shenjë vlerësimi për arritjet e tyre për kontrollin e duhanit dhezbatimin e Konventës Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit. Ky çmim vlerëson arritjet ndërkombëtare në luftën kundër epidemisë globale duhanit.
(ma.ar/BalkanWeb)
