NGA ARMIR MEHAJ*
PUKË- Pas vendimit të Ber Alb për mbylljen e aktivitetit në zonën e Pukës dhe Fushë-Arrzit ku vepron prej vitit 2001 në nxjerrjen dhe pasurimin e mineralit te Bakrit, ka reaguar dhe kreu i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj. Ai shprehet se kjo kompani edhe pse nuk ka zbatuar shumë nga pikat e marrëveshjes me shtetin shqiptar është lejuar sërish të punoj vetëm nga fakti i punësimit të dhjetëra njerëzve si kompania me numrin më të madh të punonjësve në bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz.
“Do doja ti kujtoja Ber Alb se sa ka ndikuar në përmirësimin e rrugës dhe infrastrukturës tjetër e përfshirë në kushtet e kontratës, ashtu sikurse shumë pika të tjera që nuk janë zbatuar asnjëherë dhe që nuk kemi reaguar vetëm nga fakti i numrit të lartë të punësuarve”, shprehet kryebashkiaku Gjonaj.
Ai shton se është pikërisht kjo kompani që ka nxjerr nga prodhimi shumë toka bujqësore si pasojë e ndotjes së ujit ashtu sikurse një problem madhor ka qenë dhe ndotja e ajrit për të cilin nuk është përgjigjur asnjëherë. Kryebashkiaku i Pukës i kërkon Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë kontrollin e imtësishëm të kësaj kompanie.
Sipas tij Ber Alb ka shfrytëzuar sasitë e mineralit me cilësi më të mira dhe që kanë përqindje të lartë polimetalore përfshirë dhe ar e argjend, pasuri këto që janë nxjerr fshehurazi nga Shqipëria dhe nuk janë taksuar asnjëherë, ndërsa tani kërkon të ndërpresë aktivitetin. “Unë kam vënë në dijeni të gjithë strukturat shtetërore për vendimin e papritur, ndaj tani kërkoj ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Industrisë, e cila duhet të ushtrojë një kontroll të imtësishëm dhe korrekt me qëllim nxjerrjen e të vërtetës mbi fitimet marramendëse të kësaj kompania, për të cilat banorët e zonës nuk kanë përfituar asgjë tjetër veç pagës për punën e kryer”, thotë Gjonaj.
Kreu i bashkisë së Pukës i kërkon qeverise që kompania të mos lejohet të largohet pa përmbushur detyrimet ligjore, një ndër të cilat dhe kontrata kolektive e punës e cila detyron koncensionarin t’u paguajë pagën baze punonjësve deri në 22 qershor te vitit 2017.
(m.k/BalkanWeb)
