* Dekriminalizimi, qeveria: Në “sitë” edhe Presidenti. I dënuari për korrupsion, 20 vite jashtë administratës. Për kryebashkiakët nuk shpallet rezultati i verifikimit
NGA DARINA TANUSHI*
TIRANË- Një person i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë nuk
mund të zgjidhet dhe as të emërohet në organe kushtetuese
apo të krijuara me ligj, nga posti i Presidentit deri në Shërbimin Civil. Projektligji i miratuar të mërkurën nga qeveria dhe që zbardhet i plotë sot nga “Gazeta Shqiptare” përcakton rreth 79 vepra penale, të cilat penalizojnë një person që ka marrë një dënim të emërohet edhe në çdo nivel drejtimi të Policisë së Shtetit, apo ushtarak në Forcat e Armatosura. Të penalizuar nga emërimet në funksionet publike janë edhe ata të dënuar që duan të kandidojnë në kompani që zotërohen plotësisht apo në mazhorancë ose administrohen nga shteti.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Kuvendi
PROJEKTLIGJ
Nr. /2015
PËR LEGJITIMITETIN E PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE
Në mbështetje të neneve 17. 81. pikat 1 e 2, dhe 83. pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
VENDOSI:
Neni 1
Qëllimi dhe objekti
1.Qëllimi i këtij ligji është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to apo largimit nga funksioni publik të personave të dënuar, të personave ndaj të cilëve janë marrë masa sigurimi ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen me dashje të krimeve të rënda.
2.Objekti i këtij Ligji është mbrojtja dhe garantimi i mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, Forcave të Armatosura, organeve të rendit publik, sigurisë kombëtare dhe çdo institucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror nga ndikimi dhe/ose vendimmarrje i personave të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen me dashje të krimeve të rënda.
Neni 2
Kushtet për kandidim dhe për
tu zgjedhur në funksione publike
1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:
a)Kryerjen e një krimi të parashikuar nga nenet 73, 74, 75, 76, 77, 78, 78/a, 79. 79/a, 79/b dhe 79/c, 80, 86, 87, 88/2, 89/a, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 108, 109, 109/b, 109/c, 110/a, 110/c, 111, 114, 128/b, 135, 136, 140, 141, 1431a, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224, 225, 230, 230/a, 230/b, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287, 319, 319/ç, 333, 333/a e 334, të Kodit Penal;
b)Kryerjen e një vepre penale kundër veprimtarisë shtetërore, të parashikuar nga nenet 244, 245, 248, 248/a, 259, 260, apo në fushën e zgjedhjeve, të parashikuar në kreun X vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të Kodit Penal;
c)Kryerjen e një krimi për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim;
ç)Kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat a dhe b, të kësaj pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
2. Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave, për të cilët është marrë masë sigurimi personal, vendim dënimi jopërfundimtar ose është lëshuar një urdhër kërkimi/arresti ndërkombëtar nga një autoritet gjyqësor i huaj, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale të parashikuara në shkronjat a dhe b, të pikës 1, të këtij neni, deri në momentin e revokimit të masës së sigurisë, urdhrit të kërkimit/arrestit ndërkombëtar ose vendimit të pafajësisë së dhënë nga gjykata kompetente.
3. Kohëzgjatja e ndalimeve të parashikuara nga ky nen përcaktohet, sipas rastit, në nenin 4, të këtij ligji.
Neni 3
Kushtet për tu emëruar në funksione publike
Për veprat penale të parashikuara në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet apo të zgjidhet në funksionet publike, si më poshtë vijon:
a) Në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;
b) Në postin e zëvendësministrit apo të njëvlershëm me të;
c) Në postin e prefektit;
ç) Funksionar politik në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues apo të krijuar me ligj:
d) Në Shërbimin Informativ të Shtetit;
dh) Në shërbimin civil;
e) Në çdo nivel drejtimi të Policisë së Shtetit;
ë) Ushtarak në Forcat e Armatosura;
f) Në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në mazhorancë ose administrohen nga shteti.
2. Kohëzgjatja e ndalimit të parashikuar nga ky nen përcaktohet, sipas rastit, në nenin 4, të këtij ligji.
Neni 4
Periudha e ndalimit të kandidimit, zgjedhjes apo ushtrimit të një funksioni të zgjedhur ose të emëruar:
1. Për personat, që parashikohen në shkronjën a, të pikës 1, të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit zgjat gjatë gjithë jetës.
2.Për personat, që parashikohen në shkronjën b, të pikës 1, të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 20 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.
3.Për personat, që parashikohen në shkronjën c, të pikës 1, të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 10 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.
4.Për personat, që parashikohen në shkronjën ç, të pikës 1, të nenit 2, ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, deri në momentin e rehabilitimit, sipas nenit 69, të Kodit Penal.
5.Personat, ndaj të cilëve është marrë masë sigurimi personal, vendim dënimi jopërfundimtar dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga një autoritet gjyqësor i huaj për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale të parashikuara në shkronjat a dhe b, të pikës 1, të nenit 2, të këtij neni, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen, të ushtrojnë një funksion publik të zgjedhur ose të emëruar dhe, në rast se janë zgjedhur apo ushtrojnë një funksion publik, pezullohen nga çdo lloj funksioni, deri në momentin e revokimit të masës së sigurisë, urdhrit të arrestit ndërkombëtar ose të vendimit të pafajësisë të dhënë nga gjykata kompetente.
6.Për të miturit, që në kohën e kryerjes së veprës penale, nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, periudha e ndalimit e parashikuar në shkronjat b e c, të pikës 1, të nenit 2, është e barabartë me gjysmën e kohës së ndalimit të parashikuar për personat e rritur.
7.Amnistia, falja ose lirimi i parakohshëm me kusht nuk ndikojnë në zbatimin e këtij ligji dhe nuk përllogariten në funksion të shkurtimit të afatit të dënimit me qëllim shkurtimin e periudhës së ndalimeve të parashikuara nga ky ligj.
Neni 5
Vetëdeklarimi dhe verifikimi i të dhënave.
1. Personat e parashikuar nga nenet 2 dhe 3, të këtij ligji, duhet të plotësojnë e të nënshkruajnë një formular vetëdeklarimi me anë të të cilit deklarojnë mosekzistencën e shkaqeve për të mos u zgjedhur, kandiduar ose emëruar.
2. Refuzimi për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit ose mosparaqitja e formularit të vetëdeklarimit përbën shkak për mosregjistrimin e kandidatit në zgjedhje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo për mosemërimin nga organi përgjegjës sipas ligjit. Modeli i formularit të vetëdeklarimit miratohet me vendim të Kuvendit.
3. Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale sipas nenit 190, të Kodit Penal.
4. Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet, sipas rastit:
a) Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo në organet e qeverisjes vendore;
b) Pranë kryetarit të Kuvendit për kandidatët për funksione në organet kushtetuese apo të krijuara me ligj dhe që zgjidhen nga Kuvendi;
c) Pranë prefektit të qarkut përkatës për personat që emërohen në funksione publike me votim nga këshilli bashkiak nën juridiksionin e prefektit apo nga këshilli i qarkut përkatës;
ç) Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk kanë mandat deputeti dhe nuk kanë paraqitur vetëdeklarim sipas shkronjës a, të kësaj pike;
d) Pranë titullarit apo organit që bën emërimin për funksionarin publik që emërohet sipas shkronjës a, të pikës 1, të nenit 3, dhe kur ky emërim është i ndryshëm nga funksionet e zgjedhura me votim nga Kuvendi si dhe kur emërimi bëhet sipas shkronjave ç dhe f;
dh) Pranë kryeministrit për rastet e parashikuara nga shkronjat b dhe c, të pikës 1,të nenit 3;
e) Pranë drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit apo Drejtorit të Policisë së Shtetit, sipas rastit, për shkronjat d dhe e, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji.
ë) Pranë Departamentit të Administratës Publike për rastet e parashikuara në shkronjën dh, të pikës 1, të nenit 3;
f) Pranë ministrit të Mbrojtjes për rastet e parashikuara në shkronjën ë, të pikës 1, të nenit 3.
5. Këto vetëdeklarime dhe të dhënat e përfshira në to mund të bëhen publike në çdo kohë dhe pa asnjë kufizim para dhe pas datës së zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore, zgjedhje në Kuvend apo emërimit, me kërkesë të subjekteve të interesuara.
6. Kërkesa për marrjen e formularit të vetëdeklarimit dhe/ose të dhënave të përfshira në të nuk mund të refuzohet apo të kufizohet në asnjë rast. Refuzimi apo kufizimi i dhënies së tyre përbën vepër penale sipas nenit 248, të Kodit Penal.
Neni 6
Organi kompetent për miratimin e procedurave dhe afateve për administrimin e vetëdeklarimeve.
1. Rregullat e detajuara dhe afatet për plotësimin, dorëzimin, administrimin dhe publikimin e vetëdeklarimeve si dhe për marrjen e masave për zbatimin e ndalimeve të parashikuara nga ky ligj miratohen me vendim të Kuvendit.
2. Rregullat dhe afatet e miratuara sipas pikës 1, të këtij neni, duhet të mundësojnë që vetëdeklarimet të bëhen, sipas rastit, në kohë të mjaftueshme përpara kandidimit, votimit ose emërimit në funksionin publik, me qëllim administrimin e rregullt, transparencën dhe publikimin në kohë kur kjo kërkohet, si dhe verifikimin e të dhënave në çdo rast që e parashikon ky ligj dhe nxjerrjen e përfundimeve të verifikimit dhe zbatimin e ndalimeve që parashikon ky ligj.
Neni 7
Organet kompetente për verifikimin dhe zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin në funksione publike.
1. Drejtuesi i institucionit që, sipas nenit 5, është i ngarkuar për marrjen e kërkesës për verifikim, është i detyruar që t’i kërkojë, brenda 5 ditëve, organit kompetent verifikimin e të dhënave sipas këtij ligji.
2. Organi kompetent kërkon verifikimin mbi bazën e kërkesës ose kryesisht, kur disponon të dhëna apo fakte, përfshirë fakte të njohura botërisht, që përbëjnë shkak për zbatimin e këtij ligji.
3. Kur ka informacion dhe është e nevojshme, verifikimi kryhet edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kërkesa për verifikim pranë organeve të juridiksioneve të huaja bëhet nga Prokurori i Përgjithshëm.
4. Kur organet kompetente e përfundojnë verifikimin pas përfundimit të mandatit ose kur vihen në dijeni të rrethanave apo fakteve që provojnë ekzistencën e të dhënave të padeklaruara sipas parashikimeve të këtij ligji, edhe pas përfundimit të mandatit, ato administrojnë përfundimet e hetimit dhe bëjnë kallëzim penal në përputhje me nenin 190, të Kodit Penal.
Neni 8
Detyrimi për bashkëpunim.
Çdo organ shtetëror ka detyrimin që të bashkëpunojë me organet e ngarkuara nga ky ligj për verifikimin e të dhënave, fakteve dhe rrethanave të deklaruara prej shtetasve sipas këtij ligji. Mosbashkëpunimi apo refuzimi për të bashkëpunuar, pengesa, vonesa apo keqdrejtimi në procesin e verifikimit përbëjnë vepër penale në përputhje me nenin 248, të Kodit Penal.
Neni 9
Veprimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organeve të tjera kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje.
•1 Kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje në përputhje me këtë ligj, KQZ-ja kryen veprimet e mëposhtme:
a) Refuzon kandidaturën e personit, kur kushtet verifikohen para procesit të pranimit të kandidaturave dhe i kërkon subjektit zgjedhor të interesuar të zëvendësojë kandidaturën brenda afatit të parashikuar për dorëzimin e kandidaturave;
b) Heq kandidatin nga kandidimi kur kushtet verifikohen para shtypjes së fletëve të votimit pa të drejtë zëvendësimi për rastin e kandidatëve për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore apo për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për këshillin e njësisë së qeverisjes vendore;
c) Kur kushtet e moskandidimit verifikohen pas shtypjes së fletëve të votimit dhe para shpalljes së rezultateve:
i. Shpall pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje të personit që ka të drejtën e mandatit të kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore mbi bazën e votave të marra;
ii. Shpall rezultatin për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore kur verifikohen kushtet për moskandidim e moszgjedhje sipas këtij neni për një kandidat që nuk është fitues dhe shpall faktin e moskandidimit e moszgjedhjes së kandidatit përkatës;
iii. Përjashton nga përllogaritja e mandateve kandidatin e propozuar nga zgjedhësit për këshilltar në këshillin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse dhe vazhdon përllogaritjen e mandateve me kandidatin pasaardhës;
iv. Shpall fitues nga lista shumëemërore kandidatin vijues në renditje dhe në përputhje me kuotën gjinore, si dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhjes për kandidatin përkatës;
ç) Shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhjes verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin në përputhje me Kodin Zgjedhor;
d) Shpall pavlefshmërinë e mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhjes verifikohen pas fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi përkatës, shpall mandatin në përputhje me këtë kod, si dhe njofton kryetarin e Kuvendit në rastin e pavlefshmërisë së mandatit të deputetit apo kryeministrin në rastin e kryetarit të bashkisë apo të këshilltarit bashkiak.
2. Kur deputeti mban në të njëjtën kohë postin e anëtarit të Këshillit të Ministrave, kryeministri i propozon presidentit, brenda 48 orësh shkarkimin e ministrit.
3. Në rast se kushtet e pavlefshmërisë së mandatit verifikohen për kryeministrin, ai ka të drejtë ti paraqesë Kuvendit mocion besimi në përputhje me nenin 104 të Kushtetutës.
4. Në rast se anëtari i Këshillit të Ministrave nuk ka mandat deputeti, konstatimi i kushteve për moszgjedhje dhe ushtrim të funksionit publik sipas nenit, 2, të këtij ligji, zbatohet, sipas rastit, pika 2 ose 3, e këtij neni.
5. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 115 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat sipas këtij ligji.
Neni 10
Verifikimi i kushteve për moskandidim dhe mozgjedhje në rastin e krijimit të vakancave në Kuvend ose në këshillin bashkiak.
1. Vetëdeklarimi dhe verifikimi i të dhënave në përputhje me këtë ligj kryhen edhe për çdo kandidat të listave shumëemërore apo kandidat të propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet pararendëse për Kuvendin apo këshillin bashkiak përkatës, kur, për shkak vakance në Kuvend apo në këshillin bashkiak, kandidatit i takon të marrë mandatin për vendin vakant sipas Kodit Zgjedhor.
2. Për kandidatët e listave shumëemërore, për të cilët kryhet verifikimi sipas pikës 1, të këtij neni, kur verifikohen kushtet e mozgjedhjeve sipas këtij ligji, KQZ-ja shpall faktin e moszgjedhjes së personit përkatës dhe procedon me kandidatin vijues në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Neni 11
Verifikimi i kushteve për mosushtrim të funksionit publik të emëruar.
1. Në rast të konstatimit të kushteve për zbatimin e ndalimeve të parashikuara nga ky ligj për kategoritë e tjera, përjashtuar Presidentin e Republikës, deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë, organi kompetent sipas këtij ligji për verifikimin shpall publikisht rezultatin e verifikimit. Në këtë rast, mandati apo funksioni përfundon menjëherë për shkak të ligjit.
2. Në rastin e organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj, organi kompetent për verifikimin merr masa për publikimin e rezultatit të verifikimit dhe përfundimin e mandatit apo detyrës në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.
3. Në rastet e ndryshme nga ato të parashikuara në pikën 2, të këtij neni, organi kompetent merr masa për njoftimin e personit, të cilit i përfundon detyra dhe ndjek procedurat për zbatimin e masave të përcaktuara nga ky ligj.
Neni 12
Trajtimi i funksionarëve publik aktualë.
1. Funksionarët publikë, subjekt i këtij ligji sipas neneve 2 e 3, që janë aktualisht në detyrë, i nënshtrohen procesit të verifikimit për herë të parë të pastërtisë së figurës, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
2. Funksionarët publikë, subjekt i këtij ligji sipas neneve 2 e 3, që janë aktualisht në detyrë, përmbushin detyrimet që rrjedhin nga ky ligj për herë të parë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.
3. Në rast refuzimi për të përmbushur detyrimet e parashikuara nga ky ligj lidhur me pastërtinë e figurës, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Ndaj tij zbatohet masa e parashikuar në pikën 4, të këtij neni.
4. Nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, zbatohen procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra.
5. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligj i për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 115 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat sipas këtij ligji.
Neni 13
Dispozita të fundit.
Ky ligj nuk ndikon në ndjekjen penale, gjykimin, dënimin dhe gjendjen gjyqësore të shtetasve. Kufizimet e vendosura nga ky ligj bëhen në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës për një interes publik dhe nuk shuajnë thelbin e të drejtave dhe nuk përbëjnë dënim penal apo administrativ. Dispozitat e këtij ligji janë të barazvlefshme me dispozitat e Kodit Zgjedhor, ligjit për nëpunësin civil dhe ligjet që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e organeve që përfshihen nga veprimi i këtij ligji. Në rast konflikti midis normave, dispozitat e këtij ligji kanë përparësi. Aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji miratohen nga organet kompetente, jo më vonë se 2 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 14
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
(m.k/BalkanWeb)
