Ashtu si çdo të hënë, edhe këtë paradite kryeministri Edi Rama ka mbledhur Kryesinë e Partisë Socialiste.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është caktuar data e Asamblesë Kombëtare të PS, e cila do të zhvillohet më 22 korrik.
Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se në mbledhjen e Kryesisë së PS është bërë edhe një analizë e thellë e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe e gjithë procesit zgjedhor, që nga fushata e deri te bojkoti i opozitës.
Gjithashtu, gazetari Gjençaj tha se në mbledhjet e Asamblesë Kombëtare, që do të mblidhet më 22 korrik, kryeministri Edi Rama mund të bëjë disa ndryshime në kabinetin qeveritar.
Dy emrat më të rrezikuar në qeveri janë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Kjo për faktin se në mbledhjen e Asamblesë së kaluar, Rama tha se dy ministrat Klosi e Manastirliu kanë afat deri pas zgjedhjeve lokale nëse do të vijojnë të mbajnë portofolin e ministrave.
Në atë kohë, Rama tha se gjithçka do të varet nga angazhimi i tyre në fushatën zgjedhore, por ditën e sotme duket se ka një tërheqje nga ana e kryeministrit. I pyetur nga gazetarët në fund të mbledhjes së Kryesisë lidhur me ndryshimet e mundshme në qeveri, Rama tha se gjithçka është fantazi.
Do ketë ndryshim në kabinet?
Rama: Pse? Nuk ka ndryshime në qeveri. Janë fantazi që bëhen edhe nga temperaturat e larta.
E keni deklaruar edhe vetë z.kryeministër..
Rama: Nuk kam deklaruar që do të ketë ndryshime, kam thënë që do të ketë një sërë detyrash dhe nëse detyrat janë bërë, s’ka pse të ketë ndryshime.
(BalkanWeb)