Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit ka shpallur zyrtarisht këtë fillim jave vendimin sipas të cilit rezulton i ligjshëm mandati vendor i kryebashkiakut të ri të Prrenjasit. Nuri Belba ndërpreu mandatin e deputetit për të hyrë në garën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Ky është mandati i katërt nga shtatë në Qarkun e Elbasanit të konfirmuar nga gjykata për fituesit e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Marrja zyrtare e detyrës paraprihet nga konstitimi i këshillave bashkiakë dhe betimi i kryetarëve të rinj.
Megjithatë, mandatet e Këshillave Bashkiakë ende nuk janë konfirmuar, pasi do të duhet t’i kalojnë Kolegjit Zgjedhor, për shkak se në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arritur kuorumin e nevojshëm prej 5 anëtarësh.Pas përfundimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit në Qarkun e Elbasanit PS ka fituar edhe tri bashkitë që qeveriseshin nga LSI dhe PDIU .
Ndërkaq, Gjykata Berat legjitimoi mandatin e kryetarit të bashkisë Berat, Ervin Demo.
(d.xh/Balkanweb)