TIRANE – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e ka cilësuar një histori suksesi ditën pa makina në kryeqytet. Në një deklaratë për mediat nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku mbërriti me biçikletën e tij, kreu i Bashkisë tha se ajri sot në Tiranë ka qenë katër herë më i pastër se një ditë normale.
Duke iu përgjigjur qytetarëve që sot u stresuan nga devijimi i rrugës, Veliaj i ftoi ata të shikojnë fytyrat e qeshura të fëmijëve me biçikleta, që kishin mbushur qendrën e qytetit.

“Qyteti që gjetëm nuk është ideal as për këmbësorët, as për biçikletat. Nga diku duhet të fillojmë, duke bërë një ndryshim në infrastrukturë dhe në kulture. Për ata që janë stresuar nga devijimi sot, mjafton të shikojnë fytyrat e fëmijëve. Do të përgatitemi që shumë shpesh fëmijëve të qytetit tonë tu kthejmë qendrën e qytetit. Sot po masim ajrin në Tiranë. Në qendër ajri në mesditë ishte katër herë më i pastër se një ditë normale. Mjafton kjo statistike për të kuptuar se si një trup i sëmurë edhe qyteti ka nevojë të oksigjenohet.”- deklaroi Veliaj.

(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: