SHBA
Uragani Dorian, i shumë përfolur për rrezikshmërinë e tij, ka goditur ishujt Bahamas duke shkaktuar dëme të mëdha. Uragani i kategorisë së pestë ka sjellë përmbytje të mëdha dhe pritet të vijojë me dallgë të larta dhe erëra të rrezikshme përpara se t’i drejtohet territorit të SHBA.
Qendra Kombëtare e Uraganëve në Majemi tha se Dorian po sjell erëra me shpejtësi maksimale prej 260 km në orë dhe se stuhia është kërcënim për jetën e banorëve. Pas ishujve Bahamas, uragani pritet të devijojë drejt veriperëndimit dhe mund të mos e godasë drejtpërsëdrejti Floridën.
Komunitetet më në veri, në Georgia dhe Karolinën e Jugut e ngritën nivelin e alarmit për banorët, të cilët po përgatiten, ndërkohë që autoritetet po testojnë infrastrukturën. Edhe pse uragani Dorian mund të mos godasë drejtpërdrejt SHBA-në, zyrtarët thonë se një stuhi e kësaj kategorie mund të sjellë mjaft dëme në Florida dhe në Karolinën e Jugut e të Veriut.
CNN bën të ditur se uragani në fjalë mund të jetë dobësuar paksa orët e fundit por sërish vijon të jetë i frikshëm. Ndryshimet klimatike po e shtojnë mundësinë e katastrofave natyrore në të gjithë botën nga thatësirat ekstreme në përmbytje të mëdha dhe uraganet nuk mund të përjashtohen.
(BalkanWeb)