Malcom u bë një prej transferimeve më të shtrenjta në histori të Zenit Saint Petersburgut gjatë verës, mirëpo ai ka luajtur vetëm 64 minuta që prej transferimit nga Barcelona. Klubi rus shpenzoi 40 milionë euro për sulmuesin brazilian, mirëpo ai nuk ka luajtur që nga 8 gushti si pasojë e lëndimit.
“Kam një lëndim shumë delikat dhe të ndjeshëm. Më dhemb një apo dy ditë dhe pastaj nuk ndjej dhimbje, por kur e godas topin me pakëz më shumë forcë, më dhemb sërish”. është shprehur Malcom për faqen zyrtare të Zenitit.
“Tifozët e klubit nuk duhet të shqetësohen, sepse rikuperimi im do të ndodhë shpejt dhe do të luaj sa më shpejt që është e mundur. Kur të kthehem, do të jap më të mirën, ashtu si kam bërë gjithmonë. Dua të luaj në Ligën e Kampinëve me Zenitin”, ka deklaruar 22-vjeçari për faqen zyrtare të klubit.
