TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitetin me rastin e 20-vjetorit të krijimit të Fondit Shqiptaro-Amerikan ku ka vlerësuar lart kontributin e kësaj organizate, si më e suksesshmja që ka investuar në më shumë se 40 shoqëri dhe ka krijuar mbi 7 mijë vende pune. Në përfundim të renditjes së gjithë arritjeve të këtij Fondi, Rama ka pyetur të pranishmit me një batutë “nëse donin më për Belulin”, e në këtë rast Beluli ishte Fondi.
“Krijimi i Fondit Shqiptaro-Amerikan në 1995 nga presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton shënoi edhe fillimin e një kapitulli të ri për Shqipërinë dhe marrëdhënien e posaçme mes SHBA-ve dhe vendit tonë. Por para se të krijohej ky fond në 15 mars 1991 ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve dhe më pas James Baker kishte vizituar Tiranën. E mbajnë mend të gjithë se si sheshi “Skënderbej” u mbush si asnjëherë më parë për ti rezervuar një pritje të paharrueshme njeriut që vinte nga Amerika, pritje që është ngulitur në mendjen e gjithë shqiptarëve”, risolli në kujtesë Rama.
Kreu i qeverisë tha se ajo çka SHBA-të bënë për Kosovën është dëshmi e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të mirat e mundshme që Shqipëria ka me ndonjë vend tjetër. I kanë dhënë një dimension tjetër shqiptarëve. Deklarata e përbashkët për partneritet strategjik e nënshkruar 20 prill 2015 dëshmi e këtij bashkëpunimi. Ndihma në demokratizimin e vendit tonë, por edhe zgjidhja e çështjes së Kosovës i dedikohet më së pari SHBA-ve dhe marrëdhënieve të shkëlqyera të SHBA-ve me Shqipërinë. Në këtë sfond besoj se bëhet më e lexueshme ajo çka fondi Shqiptaro-Amerikan solli në Shqipëri, si hallka e fundit e një zinxhiri fondesh simotra, të krijuara nga pres e SHBA-ve për zhvillimin e sektorit privat nga vendet e dala pas perdes së hekurt. Fonde që u krijuan si një dëshmi e mbështetjes nga ana e SHBA-ve të një tranzicioni, nga një shoqëri ku gjithçka ishte e jona, por asgjë nuk ishte e secilit, në një shoqëri tjetër ku secili ka të drejtë të fitojë atë që meriton, ku të gjithë bashkë kemi detyrimin të ndërtojmë atë bashkëjetesë që e bën të mundur lulëzimin e të drejtave të të gjithëve. Nëse me rastin e këtij përvjetori do të krijohej një parafrazim do ti shkonte fjala e një sipërmarrësi amerikan, Skot Blesi, i cili thotë “Nuk është fjala për ide por për ide që realizohen” dhe Fondi Shqiptar-Amerikan ishte dëshmia dhe mbetet dëshmia e faktit se idetë vlejnë kur realizohen. Dhe në Shqipëri Fondi Amerikan u bë dëshmitar i të vërtetës se idetë mund të realizohen, është e mundur që të investohet në mënyrë të guximshme, transparente dhe në mënyrë të suksesshme”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se merita kryesore e Fondit, është modeli që solli, si një pikë referimi dhe që ka kontribuar në Prodhimin e Brendshëm Kombëtar me 2 mln dollarë, ndërsa ka tërhequr 300 mln dollarë investime të huaja.
“Përtej gjitha meritave që fondi i rezervon vetvetes dhe atyre që e drejtojnë apo që e mbajnë atë gjallë në jetën e përditshme, merita kryesore e fondit është modeli, si një pikë referimi për të gjithë ata që kanë nevojë për një model që ti inkurajojë në rrugën e sipërmarrjes. Fondi krijues i partneriteteve me qeverinë, me burime kapitalesh apo me ekspertë. Nuk ka një organizatë tjetër në Shqipëri që të ketë larminë e partneriteteve që ka krijuar Fondi. Fondi më i suksesshëm i zinxhirit të fondeve simotra. Ka investuar në më shumë se 40 shoqëri, ka krijuar mbi 7 mijë vende pune dhe ka kontribuar në Prodhimin e Brendshëm Kombëtar me 2 mln dollarë. Investimet e fondit kanë tërhequr investime të huaja 300 mln dollarë. Fondi ka sjellë edhe një qasje novatore duke hapur shtigje dhe duke krijuar kushtet që edhe të tjerët të shikojnë rrugë pas shtigjeve të hapura. Nga industria tekstile, tek qendrat tregtare, aeroporti, banka. Nga dokumentet e sigurisë me teknologji moderne tek ndërtimi i zonave urbane deri tek kontributi për të sjellë në atdhe armët e Skënderbeut me rastin e 100-vjetorit, duke u bërë kampion me numrin e vizitorëve, 1.5 milion vizitorë, rekord deri në 200-vjetor. Ku me teknologjinë e asaj kohe mbase do mund të ngjalli Skënderbeun”, tha Rama.
Duke vijuar me arritjet e kësaj organizate, kryeministri tha se Fondi është investitori i parë i huaj në sigurimin në Shqipëri. “Bëri të mundur transformimin e pasaportave, me standarde sigurie shumë herë më të larta se shumë vende të BE-së. Nuk dua të them me këtë rast se jemi të dytët pas Gjermanisë. Shpresoj në rritjen e investimeve. Investimet amerikane janë rritur dhe konsoliduar, janë 157 biznese amerikane. Besoj që Fondi ka patur edhe meritën që të krijojë besim tek investitorët e tjerë. Historitë e suksesit janë promovimi më i mirë që mund t’i bëhet Shqipërisë”, u shpreh ai.
Rama veçoi si sukses, krijimin e Bankës Amerikane të Shqipërisë nga ky fond, që më pas u shit. Kryeministri shprehu dëshirën që Fondi ta blente sërish këtë bankë.
“Nuk e harrova por desha ta veçoj si një shembull të suksesit, krijimin e bankës amerikane të Shqipërisë, që transformoi sistemin bankar në Shqipëri, që futi produkte moderne dhe inovatore. Fondi vendosi ta shiste, mbase vendos ta blejë, mund të jetë një operacion i suksesshëm. BASH arriti të bëhej institucioni i dytë financiar më i madh në Shqipëri. arriti ti shërbejë 125 mijë klientëve. Doni më për Belulin? Në këtë rast Beluli është Fondi jo unë. Edhe Beluli pjesë e historisë sonë. Mirënjohje atyre që janë pjesë e këtij suksesi. Gëzuar 20-vjetorin, uroj të rriteni me gjithnjë e më shumë mend në kokë! Pavarësisht rritjes uroj të mos e humbni asnjëherë pasionin dhe naivitetin revolucionar të ditëve të para”, tha Kryeministri.
Në përfundim Rama theksoi se ky Fond është ndër të paktët që nuk krijon shkas për luftë politike. “Ndër të paktët emra që nuk krijon shkas për luftë politike. Duhemi s’duhemi, Fondin e duam”, tha kreu i qeverisë.
(m.k/BalkanWeb)
