Më shumë se 80 kryengritës talebanë u vranë në operacionet ajrore të forcave afgane dhe amerikane në provincat Kandahar dhe Faryab vetëm gjatë 24 orëve të fundit, konfirmuan zyrtarët të dielën.

Sipas shefit të policisë në provincën veriore Faryab, Abdul Kareem, një grup talebanësh organizuan sulme në pikat e kontrollit të sigurisë në rrethin Pashtunkot mbrëmë dhe u përballën me sulme ajrore nga Forcat Ajrore Afgane. Kareem për Anadolu Agency tha se të paktën 53 kryengritës talebanë u vranë dhe 11 u plagosën.

Në provincën jugore të Kandaharit, forcat amerikane zhvilluan sulme ajrore në rrethet Maruf dhe Shah Wali Kot, duke vrarë 33 kryengritës talebanë dhe duke plagosur tetë të tjerë, tha në një deklaratë zyra e policisë provinciale.

Këto dy rrethe njihen si qendra me ndikim të talebanëve.

Ndërkohë, talebanët pretenduan se kishin goditur një autokolonë të forcave amerikane në Kandahar në një sulm me pajisje shpërthyese të improvizuar. Qari Yosuf, zëdhënësi i grupit, tha se një automjet i blinduar u shkatërrua plotësisht dhe i gjithë bordi u vra. Forcat e SHBA-së në Afganistan nuk e kanë konfirmuar incidentin.

Afganistani po përjeton përplasje të mëdha midis forcave qeveritare dhe kryengritësve talebanë, teksa vazhdojnë iniciativat e ndryshme në kryeqytete të ndryshme botërore për të nisur bisedimet e paqes.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb