TIRANE – E ndërsa shumë qytete në vend janë skicuar në hartën e përmbytjeve si pasojë e reshjeve të shiut të rëna me intensitet, edhe politika ka reaguar mbi situatën. Kreu i opozitës, Lulzim Basha dhe kreu i qeverisë kanë debatuar në distancë për gjendjen e krijuar. Ndërsa Basha ka kërkuar me urgjencë mobilizimin dhe marrjen e masave, Rama ka deklaruar se PD bën politikë me shiun.

BASHA-QEVERISË: “MOBILIZOHUNI, SHMANGNI VIKTIMA TË TJERA”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në rrjetin social “Facebook”, lidhur me situatën e vështirë që po kalojnë qytetarët në Fier dhe Vlorë, për shkak të shirave të dendur që kanë shkaktuar përmbytje masive prej mbrëmjes së djeshme. Kreu i demokratëve shpreh ngushëllime për familjen e Luan Qarrit, i cili humbi jetën, pasi makina e tij u rrëmbye nga vërshimi i ujërave të një përroi në Vlorë.
Basha i bën thirrje qeverisë që të marrë masa për të shmangur viktima të tjera në njerëz, duke theksuar se jeta e qytetarëve është prioritet absolut.

“Situatë e rëndë për qindra familje në Fier e Vlorë, por dhe në qytete e fshatra të tjera të Jugut ku shirat e dendur kanë krijuar përmbytje e pasoja dramatike. Për fat te keq ujërat e rrëmbyer kane shkaktuar edhe vdekjen e kryefamiljarit Luan Qarri. Dua ti shpreh ngushëllimet më të ndjera të afërmve të tij.
I kërkoj qeverisë të mobilizohet me gjithçka që ka në dispozicion për të shmangur viktima të tjera në njerëz. Jeta e qytetarëve është prioritet absolut.
Të veprohet me shpejtësi dhe te zbresin në terren me te gjitha forcat dhe mjetet, aty ku bashkëqytetarët tanë janë mbuluar nga uji dhe balta, ku rrugët janë bllokuar e ku koha nuk pret asnjë minutë për të shmangur fatkeqësi të tjera”- shkruan Basha.

RAMA REAGON: VAJMEDET PD QE BEN POLITIKE ME SHIUN
Thirrjen e kreut të opozitës ndaj qeverisë, ‘mobilizohuni, mos lejoni viktima të tjera’ e ka komentuar në një status në rrjetin social, kryeministri Edi Rama. Sipas tij, PD është bërë për të qarë hallin dhe bën politikë me fenomenin natyror, shiun.

‪“#‎Vajmedet PD‬ që bën politike dhe me shiun e që u qan hallin njerëzve nga streha e SHQUP-it për qeverinë e keqe që nuk kufizon prurjet e shiut!”, shkruan Rama ne Facebook e Twitter.

BASHA: LËRI LOJËRAT POR NIS FORCAT DHE MJETET NË NDIHME TË TË PËRMBYTURVE.
Pas reagimit në facebook të kryeministrit Rama, Basha ka kërkuar edhe njëherë mobilizimin e qeverisë për t’u ardhur në ndihmë të përmbyturve në Vlorë e në Fier.

“Kërkuam mobilizimin e qeverisë për t’i ardhur në ndihmë të përmbyturve në Vlorë, Fier dhe zonën e Jugut ku qindra familje janë në mëshirën e fatit dhe përmbytja ka shkaktuar viktimën e parë. Reagimi i kryeministrit ishte sulm dhe tallje ndaj opozitës. Ky është reagim i një të papërgjegjshmi që nuk ja ndjen për njerëzit por vetëm për lojën e vet. Lëri lojërat por nis forcat dhe mjetet në ndihme të të përmbyturve. Sa për politikën, sapo doli ministri i bujqësisë dhe ju deklaroi shqiptarëve se hidrovorët kanë 24 orë që nuk pompojnë sepse ju është prerë energjia. Kur gishti tregon hënën tarallaku tregon gishtin”, ka thënë Basha.

(er.nu/m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: