Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Gjoba që variojnë nga 1500-100 mijë lekë e deri në pezullim nga detyra për një periudhë 3-vjeçare”. Këto janë disa nga masat ndëshkimore, që parashikon dokumenti më i rëndësishëm që rregullon veprimtarinë e Urdhrit të Stomatologëve e të profesionistëve që ushtrojnë punën e dentistit, në rast se shkelet Kodi i Etikës dhe Deontologjisë. Publikimi i statutit vjen pas ngritjes dhe konstituimit së këtij enti publik, që erdhi pas shkëputjes së profesionit të stomatologut nga Urdhri i Mjekut.
I njëjti dokument saktëson se masat mund të jenë edhe më të buta, si për shembull vërejtje me shkrim apo vërejtje me paralajmërim, por vlejnë vetëm në momentin që nuk kemi të bëjmë me kryerjen e një vepre penale gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas statutit, përveç masave ndëshkuese, për stomatologët që nuk plotësojnë detyrimin e pjesëmarrjes në procesin e Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor dhe nuk fitojnë kreditet e domosdoshme, Komisionet Disiplinore vendosin edhe detyrime me afate të përcaktuara për kualifikimin e nevojshëm profesional dhe të studimeve plotësuese me provimet përkatëse.
Anëtarësia
Ndërkaq, Statuti i Urdhrit të Stomatologëve përcakton edhe kriteret që duhet të plotësojnë këta profesionistë të shëndetësisë, për t’u bërë pjesë e tij e në këtë mënyrë të fitojnë të drejtën e ushtrimit të profesionit. Ajo që bie në sy te licencimi i stomatologëve të huaj është certifikata e mirësjelljes (Good Standing Certificate) nga urdhri/dhoma apo shoqata e stomatologëve të vendit të vet, ku vërtetohet se është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se nuk ka masa ndëshkimore.
Ky është një kriter shtesë që është vendosur nga USSH e që pritet të bëjë një klasifikim më cilësor të dentistëve të huaj që punojnë në Shqipëri. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë një kopje të statutit dhe boton sot disa nga nenet më kryesore, që lidhen pikërisht me kriteret e anëtarësisë, detyrimet e anëtarëve të Urdhrit dhe masat ndëshkimore.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
