Raportimet e publikuara nga media gjatë fundjavës përmbanin një sërë pretendimesh tërësisht të pasakta për sa i përket punës së Crown Agents në Shqipëri. Pretendimi kryesor lidhet me supozimin se Crown Agents ka dështuar dhe do të zëvendësohet nga një kompani Gjeorgjiane e quajtur Reformatics.
Ne gëzojmë shumë respekt për Reformatics dhe këshilltarët e tyre dhe i kemi ndihmuar me dëshirën tonë gjatë vizitës së tyre të parë në Shqipëri. Ne po ndajmë me ta sa më shumë informacion që të jetë e mundur për t’i ndihmuar në punën e tyre dhe mirëpresim eksperiencën e çmuar që ata kanë në reformimin e doganave dhe tatimeve. Gjatë fundjavës ne u takuam me Këshilltarin e Reformatics për Doganat dhe besojmë se ishim plotësisht dakord për sa i përket shumë prej çështjeve që duhen adresuar.
Raportimet mediatike mbi situatën, sidoqoftë, kanë qenë tepër të shtrembëruara dhe pothuajse plotësisht të pasakta. Jemi në dijeni të faktit që Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ndërmarrë hapa për të korrigjuar raportimet mediatike të cilat kanë përfshirë atë dhe gjithashtu vlerësojmë shumë përgjigjen e dhënë prej tyre sot. Sidoqoftë, trillimi kryesor i këtyre raportimeve ka pasur të bëjë me vetë punën e Crown Agents në Shqipëri, prandaj do të dëshironim t’i korrigjonim këto pretendime të pasakta. Është tërësisht e pasaktë të thuhet se Programi ynë ka dështuar dhe Ministria e Financave konfirmon se vazhdon të vlerësojnë punën tonë dhe përpjekjet që po bëjmë.
Fillimisht, dëshirojmë të saktësojmë se, bazuar edhe tek programi ynë i Përgjegjësisë Sociale, Crown Agents mbetet e përkushtuar ndaj Shqipërisë dhe ndaj arritjes së ndryshimeve të qëndrueshme duke punuar krah për krah me Doganat dhe Ministrinë e Financave.
Gjatë 20 muajve të parë të Programit tonë ne kemi identifikuar mbi 3500 raste evazioni fiskal apo lloje të tjera mashtrimesh në Dogana – çka do të thotë mbi 180 raste çdo muaj. Vetëm në 8 muajt e fundit, ne kemi identifikuar minimalisht 13 milionë Euro të ardhura të cilat në të kundërt nuk do të ishin mbledhur dhe nëse disa prej shkeljeve të rënda do të hetohen siç duhet, kjo shifër mund të dyfishohet shumë lehtë brenda fundit të këtij viti. Bëhet fjalë për para të prekshme, të cilat në vetvete përbëjnë një kthim shumë të mirë të investimit të bërë në Kontratën tonë. Kjo është arritur përmes vetëm 8 grupe operative.
Për sa i përket zbatimit të ligjit, shkalla e zbulueshmërisë së grupeve tona është 25%, krahasuar me 1%-in e stafit të Administratës Doganore përgjegjës për kufijtë dhe zbatimin e ligjit. Ky është një tregues i qartë i nivelit të vazhdueshëm të moszbatimit të ligjit nga ana e tregtarëve, si edhe i profesionalizmit dhe punës së palodhur të ekipit të Crown Agents në Shqipëri. Kur metodologjia e punës së grupeve operative të Crown Agents do të aplikohet në të gjithë Administratën Doganore, impakti në nivelin e mbledhjes së të ardhurave do të jetë më i qartë.
Ne kemi identifikuar gjithashtu 80 raste të verifikuara korrupsioni dhe shpërdorimi brenda Doganave, si edhe kemi mbështetur Administratën Doganore për procedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të këtyre individëve.
Ne kemi bërë mbi 50 rekomandime specifike gjatë vitit të parë, të cilat kanë pasur të bëjnë me organizimin dhe menaxhimin, masat për rritjen e mbledhjes së të ardhurave, masat për uljen e korrupsionit, si edhe masat për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes. Ne kemi dorëzuar gjithashtu një sërë raportesh të detajuara për fusha specifike të tilla si riorganizimi strukturor, puna ndërinstitucionale, kontrolli i produkteve të akcizës dhe vlerësimi doganor. Të gjitha këto rekomandime dhe propozime janë në përputhshmëri dhe synojnë aplikimin e standardeve dhe praktikave më të mira të Bashkimit Evropian. Diskutimet në lidhje me momentin e implementimit të këtyre propozimeve vazhdojnë dhe kur ato të jenë implementuar plotësisht, efektiviteti i Administratës Doganore do të mund të rritet ndjeshëm.
Gjatë vitit të fundit është arritur progres i konsiderueshëm por e vërteta është se, ndërkohë që ka disa individë shumë profesionistë dhe të përkushtuar në dogana dhe fusha të tjera, mbeten ende shumë çështje të cilat duhen zgjidhur. Ne po punojmë me Qeverinë Shqiptare për t’i zgjidhur këto çështje.
Si përfundim, mendimet sipas të cilave Crown Agents ka dështuar të bëjë atë që thamë se do të bënim, janë tërësisht dhe plotësisht të gabuara. Crown Agents mbetet plotësisht e përkushtuar për të mbështetur Qeverinë Shqiptare në përpjekjet e saj të vazhdueshme për të reformuar administratën publike e për të luftuar mashtrimin dhe korrupsionin kudo ku ekziston.
David Smith
Drejtor Programi
Crown Agents
(m.k/BalkanWeb)
