Nga: MIMOZA CIKA KELMENDI*
… e referimit të revoltës së përmbysjes së sistemit për të. Por sikundër thotë Alekxis Tokëvill me pasionin e tij për të studiuar demokracinë: “Barazia krejt natyrshëm u jep njerëzve shijen e institucioneve të lira”. Është pikërisht kjo ndjenjë që pas fitimit të lirisë shndërrohet në motorin lëvizës të shoqërisë. Barazia e konceptuar si drejtësi( juridike e sociale) shndërrohet në kryefjalën e popujve.
Në Shqipëri perceptimi popullor për këtë barazi është sa mosbesues aq edhe revoltues. Për 24 vjet, drejtësia shqiptare u shndërrua në legjitimuese e veseve më të këqija të trashëguara, por edhe të fituara gjatë tranzicionit. Drejtësia shqiptare u “kap” nga njerëz që të lidhur me politikën e konsideruan veten “baronë” të fatit të shoqërisë në përgjithësi dhe individit në veçanti. Individi u detyrua të “blente” drejtësinë duke i lënë kështu pushtet të pakufizuar një kaste sa arrogante aq edhe të pasur, sa politike aq edhe korruptive. Ndaj në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 shqiptarët reaguan fuqishëm duke pasur po të njëjtën kërkesë “Drejtësinë”. Kjo do të thoshte në mënyrë të natyrshme që shteti duhej të funksiononte me tri pushtetet e veta në mënyrë harmonike. Zoti Rama që erdhi në pushtet në krye të “Aleancës për Shqipëri Europiane” premtoi në çdo fjalim të fushatës së tij elektorale se “drejtësia shqiptare do të jepte më në fund drejtësi” për të gjithë. Madje në ditën e marrjes së statusit kandidat për në BE, kryeministri Rama u shpreh:
“Do të mbetet e paharrueshme për mua, ndër të tjera në takimin me kancelaren Merkel, ajo pjesë e takimit në Berlin kur më tha: “Dakord, Shqipëria mund të jetë si thua ti, mundet ta meritojë statusin e vendit kandidat, por dua të më shikosh në sy dhe të më thuash a beson se me drejtësinë që ka Shqipëria sot mund të bëhet anëtare e BE-së?. Sigurisht ne e dimë që përgjigjja është “Jo”. Me këtë gjendje të drejtësisë nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. Sfida për të kaluar nga një sistem drejtësie primitive, në drejtësinë evropiane është një sfidë e përbashkët që duhet adresuar si një reformë e shoqërisë”.
Besimi se më në fund shteti do të funksiononte me drejtësi, bëri që populli ta votonte këtë koalicion me një votë gati plebishitare. Dhe deklarata të tilla të bënin të besoje se Shqipëria tani e mbrapa do e kishte kryefjalën e saj politike reformën në drejtësi. Sot kushdo do e shihte të udhës t’ia rikujtonte z.Rama deklaratat e bëra në kancelaritë e botës, në intervista në kanale të ndryshme mediatike në lidhje me domosdoshmërinë e reformimit të sistemit të drejtësisë. Por fjalët mbeten fjalë dhe realiteti na shfaqet krejtësisht tjetër.
Pas mbi dy vjet pushtet e qeverisje dëgjohet sërish kryeministri i vendit të thotë se: “Vendi nuk mund të ecë përpara me një sistem drejtësie të korruptuar””! Nuk besoj se ka kryeministër në botë që të bëjë deklarata të tilla. Në një këndvështrim kjo deklaratë ngjan me përpjekjet infantile të një kryeministri jo politikan, që “topin” e përgjegjësive kërkon ta pasojë diku jashtë vetes. Më konkretisht: Shqipëria, sipas mendimit tim, sot paraqet një tablo mjaft paradoksale: Nga njëra anë ky vend konsiderohet si vendi me korrupsionin më të lartë në Europë (Transparency International) publikoi para disa ditësh raportin mbi indeksin e perceptimit të korrupsionit ku Shqipëria renditet e 95-ta, me një koeficient vlerësimi prej 3.1 në mesin e 183 shteteve të botës. Në krahasim me një vit më parë Shqipëria renditet 8 vende më poshtë. Në 2010 vendi ynë renditej i 87-ti me koeficient vlerësimi 3.3 – nga ana tjetër ka një mbipopullim në masën 28% në institucionet e dënimit me heqje lirie. Dënimet janë kryesisht për lidhje të parregullta të energjisë elektrike, apo për mospasje të kasave fiskale. Pra dënohen qytetarët dhe jo përgjegjësit apo zyrtarët e korruptuar të cilët i sjellin vendit miliona euro të humbura. Këta zyrtarë, herë të akuzuar publikisht e herë të çuar para bankës së të akuzuarve, dalin gjithnjë “të pafajshëm”! Dhe sikundër thuhet në të tilla raste “ajo që nuk të vret të bën më të fortë” kjo vlen për zyrtarët e lartë shqiptarë të cilët vazhdojnë të veprojnë herë haptazi dhe herë nën rrogoz mbushin llogaritë e tyre bankare. Drejtësia shqiptare funksionon kështu vetëm për njërin krah, në dënimin e të pambrojturit!
Pse ndodh kjo? A nuk kishte mundësi Parlamenti shqiptar të merrej prej kohësh me drejtësinë? Jo vetëm që kishte mundësinë, por e kishte premtuar si maxhorancë reformimin e këtij sistemi. Por ky Parlament nuk mund të realizojë dot reformë! Sikur specialistët shqiptarë, por edhe ata të huaj të propozojnë drafte të mrekullueshme, sërish reforma në drejtësi NUK DO TË BEHET. Arsyet janë të dukshme:
-Parlamenti shqiptar ka aq pak juristë që mund të japin mendim të specializuar sa rrezikojnë të mos dëgjohen fare.
– Në parlamentin shqiptar kanë depërtuar ish-të dënuar, individë me të kaluar, por edhe me të tashme dyshuese, biznesmenë që asnjëherë nuk kanë dhënë llogari për pasuritë e tyre, ish- ministra që kanë mbushur llogari bankare brenda dhe jashtë vendit me korrupsionin e njohur publikisht (por edhe të panjohur) me pasurinë publike.
-Klasa politike shqiptare e ka konsideruar dhe vazhdon ta konsiderojë pushtetin si instrument të pasurimit të saj.
Të gjitha këto e bëjnë të pamundur një reformim të sistemit të drejtësisë në vend. Është një marrëveshje e heshtur mes pozitës dhe opozitës në politikë e cila ka vite që funksionon: “Mos më ngacmo që mos të të ngacmoj”! Kjo e shpreh më së qarti faktin e mungesës së vullnetit politik për të reformuar drejtësinë.
Pra pretendimi i zotit Rama se, “kur nuk funksionon drejtësia unë i kam duart e lidhura” është një shashkë që mund të gënjejë me kërcitjen e saj vetëm militantët radikalë të rilindjes.
Nga ana tjetër kryeministri Rama ka deklaruar disa herë se: “Prisni, prisni, se nuk keni parë gjë akoma”. Kjo batutë e kthyer tashmë në “motiv barcaletash” i drejtohet opozitës me synim mbajtjen e saj publikisht nën “fre”. Në fakt duket sikur kjo batutë shpreh një lloj filozofie dhe mentaliteti që shfaq kryeministri për ta shndërruar drejtësinë në një lloj “kërcënimi” për individin kundërshtar dhe jo për të vendosur një sistem me rregulla të qëndrueshme.
Vetëm disa javë më parë në Shqipëri plasi skandali i implikimit në aferën korruptive të Çez-it dhe një kompanie DIA (e cila ndërmjetësonte për mbledhjen e të ardhurave nga pagesat e energjisë,) të një ish-kryeministri. Në media dolën shkresa e u lakuan emra mes të cilëve dhe kryeparlamentari aktual. Për dhjetë ditë rresht populli u njoh me “bëma” që shkonin miliona euro dëme në kurriz të taksapaguesit shqiptar. Dhjetë ditë denoncim aferash korruptive, ndërkohë që kryeministri shqiptar vazhdonte vizitën në SHBA, i pa shqetësuar nga ngjarja. Kohë e mjaftueshme për të matur forcat brenda një koalicioni që duket se mbështetet thjeshtë në afera personale. Me reagimin e zotit Rama pas kthimit nga SHBA çdo gjë u mbulua dhe askush nuk merret më me këtë çështje. Pra, sërish lind pyetja: A mund të justifikohet kjo sjellje politike e një kryeministri? Cila do ishte përgjigja e radhës ndaj kancelares Merkel, ndaj BE-së në lidhje me dy vitet e humbura në reformimin e një sistemi, i cili garanton ecjen përpara dhe jep provën e besueshmërisë për të hapur negociatat për anëtarësim?
Opozita nga ana e saj, është bashkëfajtore në afera korruptive me vite të tëra, ndaj dhe kur flet për drejtësinë, nuk ka as moralin dhe as gjuhën e duhur.
Duket sikur situata është e pashpresë. Në fakt, në Shqipëri një grup ekspertësh vendas dhe të huaj janë angazhuar për një reformë të vërtetë. Sipas mendimit tim, kjo reformë nëse dërgohet në Parlament do pësojë ndryshime thelbësore që sërish garantojnë ato çka thamë më sipër. Por edhe nëse ndodh ky miratim( me ndryshimet që u thanë)) sërish do duhen vite që të realizohen në vend. Deri atëherë zoti Rama dhe aleanca e tij do kenë humbur imazh dhe besueshmëri që ndoshta do i rrezikojnë pushtetin, por mbi të gjitha, do e bëjnë edhe më të varfër vendin. Zgjidhja ekziston! Një referendum popullor do të ishte mundësia e artë që ky sistem të vihej në rrugën e drejtë. Drejtësinë ashtu si lirinë nuk ta dhuron dot ai që ta ka marrë!
* Gazetare Bon
(d.d/GSH/BalkanWeb)
