Më 23 tetor të vitit 1944, Komanda gjermane e Kampit të Prishtinës, ekzekutoi 105 komunistë dhe partizanë shqiptarë që mbaheshin aty të izoluar që nga gushti i atij viti, kur ata u morën nga burgu i Tiranës ku ishin arrestuar në periudha kohe të ndryshme. Sipas disa dëshmive të bëra nga disa ish-të burgosur të atij kampi, si Luigj Filipi (ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës në vitet e para të pas-Luftës), Kristo Budo, ish-ushtarak i Ministrisë së Brendëshme me funksione drejtuese dhe inspektor i përgjithshëm për pushtetin lokal në Kryeministri deri në mesin e viteve ’50-të), etj, thuhet se ekzekutimi i 105 të dënuarëve të atij kampi, erdhi si rezultat i mos lirimit të tre vajzave gjermane, (Elsa Koch, Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert), të cilat mbaheshin peng dhe Enver Hoxha nuk iu përmbajt marrëveshjes që kishte bërë me gjermanët për shkëmbimin e tyre.

Ndërsa këto gjëra tashmë janë të njohura, ku veç personave të sipër cituar, janë publikuar edhe dëshmitë e disa prej të internuarave në kampet e punës së detyruar në fshatrat e Myzeqesë, si Plug, Bedat, Savër etj, ku tre vajzat gjermane kanë qëndruar deri në vitin 1956, që u riatdhesuan në vëndet e tyre në bazë të “Marrëveshjes, Hrushov-Adenauer”, në këtë shkrim, Memorie.al publikon një foto të rrallë që nuk ka parë kurrë dritën e botimit. E cila tregon disa partizanë shqiptarë, duke vendosur kurora në vënd-varrimin e 105 të ekzekutuarëve të Kampit të Prishtinës. Kjo gjë duket edhe nga foto në fjalë, (ku është e shkruar me të bardhë), dhe me shumë gjasa ajo i përket vitit 1945, pra tetorit të atij viti që ishte dhe përvjetori i parë i asaj ngjarje, dhe partizanët shqiptarë, kanë ardhur aty gjatë kthimit nga Bosnjë Hercegovina ku kishin shkuar dy divizionet shqiptare “për të ndjekur bishën gjermane”. Siç shihet dhe nga foto, nga uniformat që mbajnë veshur, aty janë tre katër partizanë shqiptare, dhe po kaq jugosllavë, dhe në mes të tyre është dhe një civil, kosovar, me veshje karakteristike të asaj zone. Partizanët shqiptarë duket se janë me funksione drejtues, pra oficerë, gjë e cila tregohet qartë nga shenjat dalluese që ata kanë tek mëngët,(funksione politike, komisarë), ku janë yjet që tregojnë gradat.

Ndryshe nga partizanët shqiptarë, ata jugosllavë duken pa grada dhe kanë shërbyer aty thjesht si shoqërues dhe për t’ju treguar vëndin atyre, të cilët në përvjetorin e parë të asaj ngjarje kanë vendosur një kurorë të madhe, jo me lule, por me shkurre. Po kështu në mes shkurreve duken dy shenja të bëra me drurë, të cilat japin simbolin e kryqit. Gjithsesi edhe pse me mjete rrethanore, kuadrot drejtuese të partizanëve shqiptarë, me një ceremoni të thjeshtë kanë përkujtuar 105 bashkëluftëtarët e tyre të pushkatuarit dhe kjo është fiksuar në këtë foto që publikohet për herë të parë nga Memorie.al.

Kampi I Prishtines
Kampi I Prishtines

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb