TIRANË

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë një takimi të zhvilluar me gazetarët, të cilët mbulojnë zhvillimet e këtij sektori, ka bërë një bilanc paraprak të arritjeve për 2019, ndërsa ka shpalosur edhe pritshmëritë për vitin e ardhshëm. Ajo foli për reformën në Drejtësi, por edhe për ngritjen e institucionve të tjera, që deri tani kanë qenë jofunksionale.

Sipas Gjonajt, dy arritjet më të mëdha për 2019 në Shqipëri, konkretisht për fushën e drejtësisë, janë krijimi i SPAK dhe zgjedhja e Kryeprokurorit të Përgjithshëm.

“Ministria e Drejtësisë ka nisur reforma për të cilat presim rezultate për vitin 2020. Sa i përket reformës në drejtësi mendoj qe periudha tranzitore ka zgjatur më tepër se çduhet. Ky vit ka shënuar dy rezultate të rëndësishme, SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Kam besuar që në ditën e parë të reformës, që pavarësia e drejtësisë është e shenjtë. Ministria e Drejtësisë ka detyrimin të monitorojë procesin e reformës, gjatë 2020 do nisin takimet institucionale bashkë me BE, për te realizuar koordinimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Ka ende punë , presim ngritjen e Gjykatës së Lartë, ky proces është vonuar pak edhe për shkak të kompleksitetit dhe kontrollit të kandidatëve. Fillimi i 2020 do na gjejë me Gjykatë të Lartë, dhe kjo do ulë stokun. Lidhur me SPAK , periudha tranzitore ka vështirësitë e veta, por besoj si prokurori i përgjithshëm dhe kreu i SPAK po marrin masa sa i takon transferimit të dosjeve në kohë. Përsa i takon Gjykatës Kushtetuese, besoj shumë shpejt Kuvendi do t’i cojë Komisionit të Venecias pyetjet. Duke shpresuar që kjo gjë qe zgjidhet sa më shpejt, që Gjykata Kushtetuese të funksionojë sa më shpejt. Jemi në kontakt me ministri homologe sikurse është Italia, për sistemin e menaxhimit të çështjeve. Në 2020 do lançojmë fushatën e zgjidhjes së çështjeve me ndërmjetësim, për të ulur fluksin e dosjeve civile në gjykata. Është mënyrë efektive dhe e suksesshme jashtë”- tha ajo.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: