TIRANË
Pak ditë pas zgjedhjes së Olsian Çelës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, sot ky institucion ka caktuar edhe zëvendësin e tij. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se ky post i është besuar Thoma Janos.
Muaji dhjetor i këtij viti ka qenë një muaj intensiv për organet e reja të drejtësisë. Pas zgjedhjes së Olsian Celës në krye të Prokurorisë, procesi nisi me betimin e tetë prokurorëve të SPAK si dhe me zgjedhjen e Arben Krajës, si drejtues i këtij institucioni, ndërsa emri i tij u shigjetua nga politika duke e kategorizuar atë si një ish-hetues i komunizmit.
Numri dy i prokurorisë së përgjithshme, Thoma Jano, ka prekur kupolën e Prokurorisë, pas vitit 1997, kur punoi si kreu i prokurorisë së Tiranës, gjatë kohës që organi i akuzës drejtohej nga Arben Rakipi.
Në kohën e qeverisë së Fatos Nanos, Jano u emërua zv.ministër i Rendit Publik për të drejtuar sektorin e hetimeve. Dhe në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Theodhori Sollaku dhe Ina Rama, Thoma Jano ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, kurse më vonë ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, e emëroi Janon në sektorin e përgjimeve.