Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e cila udhëheqet nga demokratët, do të votojë të mërkurën për dërgimin e akuzave formale kundër presidentit Donald Trump në Senat.
Kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, tha po ashtu se ajo do të emërojë të ashtuquajturit menaxherë të Dhomës që do të ndjekin rastin kundër Trumpit gjatë gjykimit në Senat.
Pelosi, deri tano, nuk i ka dërguar akuzat në Senat, pasi Partia Republikane – së cilës i përket edhe presidenti – ka refuzuar të lejojë pjesëmarrjen e dëshmitarëve në gjykim.
Trump akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor.
Nëse gjatë gjykimit në Senat shpallet fajtor – gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët – Trump do të shkarkohej nga detyra.
Trump këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe hetimet kundër tij i quan “gjueti shtrigash”.
Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.
Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.
Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare. Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.