Jurgen Klopp nuk ka ndërmend të tërhiqet edhe pse vendimet e tij kanë krijuar polemika dhe kanë prishur qetësinë e një sezoni në limitet e perfeksionit për Liverpool. Mediat angleze dhe opinioni sportive në Angli nuk i priti mirë deklaratat e teknikut gjerman, i cili u shpreh se do të zbriste në fushë me skuadrën e të rinjve në ndeshjen e kthimit kundër Shreësbury në Kupën e Federatës, ndërsa ai nuk do të ishte në pankinë.
Qëndrim i fortë, që në fillim u duk thjesht si një shpërthim i momentit pas barazimit suprizë në fushën e ekipit që luan në kategorinë e tretë. Por, Klopp ka treguar se vendimi i tij është i menduar mirë dhe një përgjigje ndaj kalendarit sfilitës që përballet skuadra e tij.
“Nuk tërhiqem në asnjë pikë nga ato që kam thënë. Nuk lejoj të më tallin”, ka thënë trajneri I Liverpool, duke shtuar më tej dozat në polemikat e kahershme, ku ai udhëheq njerëzit që mendojnë se Federata dhe Liga Angleze duhet të ndryshojnë kalendarin. Deri tani thirrjet e tij kanë rënë në vesh të shurdhët dhe për këtë arsye, Jurgen Klopp duket se ka vendosur të veprojë.
(balkanweb)