TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi sqaroi sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, se pse është kundër krijimit të një Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile, pasi sipas saj me modelin e zgjedhur, ky këshill do të jetë nën tutelën e qeverisë.
“Është e vërtetë, duhet krijuar një këshill kombëtar, pasi shoqëria civile është kthyer në shoqatë qeveritare. Ne nuk ishim kundër këshillit kombëtar. Duke parë eksperiencën e vendeve fqinje ne kërkuam që shoqëria civile të kishte realisht më shumë zë, pra këshilli të mos drejtohej nga një ministër. Po të zgjidhej në mënyrë demokratike me votë, përfaqësuesit të mos zgjidheshin nga AMSHC, që është nën tutelën e qeverisë pra si në rastin e Kroacisë, të merrnim modelin e tyre. Ata thonë që kemi zgjedhur modelin kroat, por ky është modeli i Malit të Zi. Modeli kroat e lejon shoqërinë të përzgjedhë përfaqësuesit, jo të paracaktohet nga qeveria, që ministri të jetë kryetar i bordit”,- tha Vokshi.
Më tej deputetja ngriti akuza kundër AMSHC, (Agjencia e Mbrojtjes së Shoqërisë Civile) për alokimin e fondeve, madje shtoi se i ka kërkuar kryeministrit të hetonte listën e donacioneve.
“Sot në mbledhjen e komisionit i bëra thirrje kryeministrit ta hetonte listën e donacioneve të AMSHC, meqë e ka në tutelë kryeministri ta hetojë sa më parë këtë listë. Janë fondet e buxhetit të shtetit këto. Të hetohet lista e projekteve të dy viteve të fundit, le të hetohet edhe ajo para 2013, le të hetohen të gjitha. Vetë anëtarët e AMSHC i kanë dhënë vetë fonde vetes. Drejtori i AMSHC i jep vetes fonde të buxhetit të shtetit, është konflikt i hapur interesi. Një pjesë e fondeve kanë shkuar për ish-anëtarë të MJAFT-it. Janë dhënë 7 milionë lekë fonde për FRESSH, kjo në kundërshtim të hapur me ligjin pasi është organizatë politike. Rama i dha FRESSH donacione, kjo çështje duhet çuar në ndjekje penale, bie ndesh me ligjin dhe Kushtetutën”,- shtoi Vokshi.
“Alokimi i fondeve nga AMSHC është abuziv dhe korruptiv, pra si mundet që Këshilli Kombëtar të këshillojë qeverinë për alokimin e fondeve kur drejtohet nga një minstër i qeverisë? Pra, do jetë i paragjykuar se kjo qeveri është e mbuluar nga skandalet që po i plasin çdo ditë. Duke filluar nga sektori i Shëndetësisë, që lejoi kalimin e barnave falso deri tek blerja e Jaguar-ve, tek miku i kryeministrit”,- vijoi Vokshi, duke apeluar që opozita të nisë një betejë edhe më të fortë.
(ma.ar/BalkanWeb)
