Gazetarja Dorjana Bezat zbardh për “BalkanWeb” detaje të reja nga vdekja misterioze e biznesmenit të kromit në Bulqizë, Murat Duriçi.

Në një lidhje telefonike në “News24”, gazetarja Bezat tha se 53-vjeçari Duriçi ishte një biznesmen i fuqishëm në Bulqizë, dhe sipas burimeve të policisë, ai lëvizte shumë rrallë në këmbë.

Për këtë arsye, është shumë e dyshimtë që ai të jetë aksidentuar, ndaj dhe policia vijon hetimet, duke mos e konsideruar thjesht një aksident ngjarjen e rëndë, të ndodhur këtë mbrëmje. Biznesmeni është gjetur me shenja jete në një kanal, por ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Siç raporton gazetarja Bezat, të dhënat e deritanishme ngrenë hije dyshimi për ngjarjen, që ajo mund të mos jetë aksidentale. Sa i përket të shkuarës së biznesmenit, gazetarja Bezat tha për “BalkanWeb” se ishte një person pa precedentë dhe nuk kishte pasur përplasje në Bulqizë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb