KOSOVË- Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 2 nëntor, në orën 10:00. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në konferencën për media, pas takimit me Kryesinë e Kuvendit, raporton Gazeta Express. Në këtë konferencë Veseli ka përmendur faktin që presidenti austriak nuk do të mund t’i adresohet Kuvendit në njuë situatë çfarë është, ndërsa ka thënë se kërkesë për t’iu adresuar Kuvendit ka adresuar edhe Komisioneri Hahn dhe mbetet të shihet nëse do të mund të krijohen rrethanat për një gjë të tillë.
Ai ka thënë se kjo situatë duhet të ndryshohet dhe se Kuvendi duhet ta vazhdojë punën ashtu siç është i thirrur, ndërsa ka shtuar se në Kuvend nuk duhet treguar forca. Kryeparlamentari ka bërë thirrje që dikush të marrë përgjegjësi institucionale për veprimet joadekuate që janë parë në Kuvend.
Në anën tjetër, Veseli nuk ka treguar nëse prapë do të improvizojnë ndonjë sallë në rast të moslejimit të mbajtjes së seancës nga opozita. “S’ka as gaz lotsjellës, as shishe, as bombëhedhës që do të më ndalin ta kryej përgjegjësinë time institucionale. Puna e Kuvendit do të vazhdojë”, ka përfunduar Veseli.
(m.k/BalkanWeb)
