Zëvendëskryeredaktorja e Gazetës Shqiptare, Rezarta Delisula, dhe kryetari i Shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, ishin të ftuar në emisionin “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, ku folën për 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet i Shqipërisë.
Ndër të tjera, Delisula dhe Tafaj folën për traditat e tiransve autoktonë, veset, por edhe të mirat e tyre, ku te kjo e fundit rendisin të parin arsimi, duke i cilësuar si qytetarë arsimdashës dhe që, pavarësisht se kanë studiuar jashtë shtetit, janë kthyer dhe i kanë shërbyer vendit të tyre. Por, tironsit kanë edhe vese, dhe një prej tyre është bixhozi, siç thotë Tafaj.
Pjesë nga intervista:
Flasim pak për traditat, kush janë familjet më në zë…
Tafaj: Sot familjet më në zë janë familjet që mbajnë akoma mbiemrin e gjenezës së tyre. Kemi familjen Petrela, Ndroqi, Vaqarri, Fortuzi, Tafaj, e cila përsëri vjen nga kalaja e Ndroqit. Kemi një sërë mbiemrash që janë ashtu siç kanë ardhur të parët në vitet 1650-1700 dhe mbajnë të njëjtin mbiemër. Në rrugën e Dibrës ke familjen Vaqarri, Petrelën, të gjithë mbiemrat thuajse i ke të grupuar atje. Kjo tregon dy cilësi të këtyre qytetarëve, kanë dhe kanë pasur aftësi qytet-formuese dhe qytet-ndërtuese. Pas 1945 ishin po këto familje që u kthyen dhe dhanë kontributin e tyre në Tiranën e sotme.
Delisula: Është tradita e dasmave, Tirana i bën të bukura dasmat. Ne sot shohim filmat ndërkombëtarë, që i hiqet kordelja nuses nga këmba, që ja heq burri. Në Tiranën e dikurshme, nuses ja hiqte një djalë i vogël atë. Kemi dhe traditën e vdekjes, që tiranasit nuk e kanë pasur qarjen ose vajin shumë specifik, dhe ne merrnim gra të tjera hua për të qarë, për të respektuar të vdekurin.
Për çfarë shquhen tiransit, po veset e tyre?
Tafaj: Po dalim te veset, flitet për bixhozin, që është luajtur herët në Tironë. Kanë luajtur pasanikët sigurisht, se edhe sot të gjithë ata që kanë lekë, i ke nëpër kazino, kur s’ka në Shqipëri, i ke në Mal të Zi, por nuk janë tirans, sepse tiransit nuk kanë peshë shumë të madhe në pasanikët e vendit tonë sot. Tirana ka pas shtëpi publike. Çfarë do të thotë kjo, është shumë e rëndësishme në fakt dhe është shumë gjë e mirë, sepse tiransi s’ka pas ndërmend me pa gruan e komshiut, por shkonte atje. Pra, ruante moralin. Ka pas dhe elementë shumë të rëndësishëm. Tironsit kanë qenë jashtëzakonisht arsimdashës, këtë e kemi me statistika.
Delisula: Diploma e parë e marrë jashtë shtetit është i një qytetari nga Tirana.
Tafaj: Një treg mund të nxjerrë njerëz të mençur, por shkon e ngel aty, do me thënë se nuk i shërben vendit. Ke një tufë doktorësh tirons, që kanë studiuar jashtë dhe kanë ardhur e kanë shërbyer këtu.
Flasim pak për gatimet tradicionale…
Delisula: Mishin e hanë shumë tironsit, byrekun e kanë të vetin, ëmbëlsirat i duan.
Tafaj: Tironsit kanë qenë konsumatorët më të mëdhenj të mishit. Për ushqim tironsit kurrë nuk kanë vuajtur, dhe ky ka qenë shkaku që nuk kanë ikur emigrantë.
(BalkanWeb)