Nga: MUHARREM FEJZO*
Nëntor 1977. Vlorë.
Udhëtonim drejt Vlorës për premierën e filmit Gunat mbi tela. Këshilli Artistik dhe kolektivi zgjodhën fjalët më të mira për filmin. Natasha Lako, skenaristja e filmave të mëpastajmë, u shpreh se “kuadrot atij filmi, nuk iu shqitën nga sytë për tre ditë me radhë”. Kishte dhe nga ata të cilët donin ta shteronin vlerësimin me vërejtje, hamendësime, dyshime e arsyetime plot cene. …Rrugën e Shebekëve e bëra pothuajse duke vrapuar mbi pellgjet që pickoheshin nga një shi zemërak. Një gëzim gufues ma kishte lehtësuar trupin deri në asgjësim. Isha bërë gjeth.

Të nesërmen. Hyra nga kangjellat e hekurta, të cilat çuditërisht ishin të hapura dykanatësh. Axhemi, portieri, më pa me një mospërfillje lënduese. Trema e studios ishte e mekur. Reshtja e shiut nxori në pah një qetësi shteruese. Ndjeva erën e djersës përzjerë me atë të rrobave të lagura. Bëra më tutje në drejtim të hyrjes kryesore. Shtatoret mbi ballinën e ndërtesës nxinin trishtueshëm. Në hyrje më doli përpara Krisanthi, regjisorja e montazhit. Fytyra e saj nuk shprehte asgjë të mirë. Zbehtësia e lëkurës nxirrte në pah tualetin e bërë nxitimthi. Me një qeshje të thartuar i thashë: – Krisanthi, çfarë ka bërë vaki, ç’është gjithë kjo shurdhëri enigmatike?

Ajo nuk foli. Tundi kryet disa herë dhe nënqeshi së brendshmi. – Mos u largo. Pas një gjysmë ore do të vijë shoku Manush, kryetari i Akademisë së Shkencave, Aleks Buda dhe drejtori i Institutit të Historisë në ministri, Stefanaq Pollo.
E pashë habitshëm si të dëgjoja fjalë tepër të rralla të dala nga fundi i dheut. – Ardhshin shëndoshë. Po ti çfarë ke që nuk më tregon asgjë. Vijnë për mirë apo për keq?

Ajo më dha shpatullat. Duke ikur tundi duart sikur donte të thoshte: “Lëre, lëre ç’na gjeti!” Bajrami, qafa, ishte bërë dhé në fytyrë kur erdhi nga Blloku. Në mëndje vrunbullonin të gjitha të pamundurat që mund të bëheshin të mundura. Mendime të tjera dyndeshin herë vrullshëm e herë ngrirazi. Gjendja ishte shndërruar kokakëmbëthi.

Në krye të shkallëve u shfaq Axhemi që lëvizi krahët si në panik. “Benz”-i i zi hyri në oborrin e gjerë. Flegrat u hapën dhe që andej u ulën me radhë, Manushi, i cili së pari pa në binte shi apo jo. E pasuan të tjerët ndërsa ai vinte kapelen “republikë”. Ne që po i pritnim si “ujët e pakët”, sikur nuk ishim aty. Nuk na përfillën fare.

…Kur për një film dokumentar u bë gjithë ajo gurgule, po për një film artistik? Paradigmat e mija ishin tmerruese. Çfarë nuk gatuante kjo mendje e shkretë. Ata do të kapeshin pas gjithfarë vjegash. Po pse? Ku kisha gabuar? Gjithçka kisha bërë, ishte ashiqare sipas udhëzimeve të Partisë dhe shokut Enver. Kisha shfletuar historinë, kisha bërë telef tre vëllime me kujtime të veteranëve. Një mekje që rrallëherë e kisha ndjerë po ma mpinte trupin dhe mendjen. Po më në fund çfarë do të më bënin? Do më çonin në prodhim? Do të më hiqnin nga Kinostudioja! Jo! Këtë jo! Këtë nuk duhet të ma bënin. Kisha mbajtur porosinë e shokut Manush kur na takoi gjatë xhirimeve në Vlorë. “Bëni kujdes, – më kish thënë ai – mbani parasysh atë çka ka thënë shoku Enver lidhur me historinë”. Heshtja përzjehej me zhurmën monotone të projektorit. Në pëlhurën gri pas një shpërthimi bie i vrarë Beluli. Muzika kulmon.

Përpara thurnajës metalike, kryetari i Akademisë Aleks Buda, me një nënqeshje të ndrojtur, i tha: – Më duket se filmi të pëlqeu shoku Manush. – Pse? – gjegji ai duke përplasur qepallat nga një tik nervor. Shkëputi dorën nga doreza e veturës për të pritur përgjigjen. – Sepse pashë që u përlote. Ai uli kokën për të fshehur një buzëqeshje të shtrembëruar. – Po. Por duhet të shohim përtej lotëve. – Çfarë… çfarë?… – dhe një gogël më zuri grykën. Gëlltitem. Ai më pa. Kaloi dorën mbi mjekër dhe shtoi: – “Ti, ke punuar mirë… por… do t’i sjellim vërejtjet tona më tutje, mirë u pafshim”. Te grupi mbetës më këmbë u përplas era e tymit dhe erës së benzinës. ‘Benz-i u zhduk prapa kthesës. Hodha vështrimin nga drejtori. Ai ishte i mpakur, i trembur. Ngriti supet dhe u largua pa thënë asgjë.

VËREJTJET
…Shpotisë i ktheu krahët dhe u zhduk jashtë në errësirën që sterronte. Filmin e kishin syzuar mirë ata shokët e “Bllokut”. Hamendjet për fat të keq u shtuan si retë e zeza para stuhisë gjersa arritën kulmin me ndalimin e filmit nga “Blloku”! “Mirë ju bë!”… Shprehja meskine u shpreh dhe te miqtë, të cilët tashmë ishin hedhur në logun e kundërt me atë të parin. “Ç’ke moj zemër që rënkon, koka bën, koka pëson!”, – thoshin moralistët. Ishte një listë e gjatë pa shpjegime dhe arsyetime. I lexoja dhe nuk mund të bindesha se kishin të drejtë. Ajo që kërkonin mendjet e mpira nga dyshimi, ishte në vetvete e tmerrshme, e shkretë, e ftohtë dhe mizore. Ato shkrime nga fjalë të shkruara merrnin zë në veshët e mi. Hallakateshin në tru si zhurma zinxhirësh e hekurash, erë shkrumbi, asgjësimi. Shënime ngjethëse. Thika të mprehta që drejtoheshin drejt gjymtyrëve të celuloidit.
PRERJET
Filluam krehjen dhe qethjen. Mekanizmi i prerjes së celuloidit ngjante shumë me atë të prerjes së kokave – gijotina… Thika e mprehtë e vërejtjeve të panumërta ra mbi atë skenë të bukur e njerëzore kur luftëtari Velo, Luftar Pajo, ngre drejt qiellit djalin e tij motak dhe i puth “lulet”. Mendimi regjisorial ishte se ai ngrinte lart të ardhmen drejt qiellit, liria për të cilin do të sakrifikonin jetën. Kush e di si u përdrodh ky imazh në trutë e syçeltëve sipëranë. Dyshimet, si ai grami i keq, kishin mbirë gjithkah e tek gjithkush. Po kështu ëndrra e Hodos, djalit të fshatarit që përballoi me dyfek një skuadër karabinierësh italianë dhe që e trajtova më lart, përfundoi në kosh dhe më vonë në krematoriumin e celuloidit. Pra, frika u kishte hyrë në palcë dhe atyre që kishin kryesuar luftën heroike partizane. Frika, dyshimi se edhe një ëndërrim, alegoria, mund të prodhonte energji vepruese e mund të mjegullonte arsyen e popullit, bëri që ai episod që e kisha aq shumë për zemër të gijotinohej.

Mendime dhe arsyetime egërshane. Vërejtjet e tyre më ngjanin si allçi e skaduar që të prishin skulpturën. Vetë tharrmi, logjika e tyre e brendshme, ngjante e përçudnuar. Por i duhej thënë “derrit dajë”, s’ke nga ia mban. “Hedh një gur në lumë një i marrë dhe dyzet të mençur s’e nxjerrin dot.” Por ai që kishte hedhur gurin nuk ishte një marrok, por numri dy i Partisë së Punës, shoku Hysni Kapo. Dhe pse? Sepse nuk paraqitej në film aktiviteti i familjes së tij. Por kjo gjë do të merrej vesh shumë muaj më pas, nga vetë njerëzit e “Bllokut”. Por, a ishte kjo e vërteta? Kush e kishte hedhur gurin e fshihte dorën? Por ç’i do hamendësimet. Shkurt, do të bëhej një plojë e kilometrave të celuloidit që do të përfundonin në krematoriumin, gropën e madhe hapur midis ullishteve pranë atelierit.

U desh të qethej filmi, të bëheshin rixhirime, të krijoheshin skena të reja, të rimontohej dhe mbasi të kalonte në sitën e syçeltëve, “Gunat mbi tela” do të shihte dritën e pëlhurës filmike. Në këtë rast, bashkë me grupin e historianëve, ushtarakëve, artistëve, shtetarëve partiakëve, do të vinte dhe Muhin Çami me Kristo Frashërin. Filmi u rehabilitua. “Gunat” u shfaq në të gjithë republikën. Shtypi dhe kritika të trembura nga hidh-e-pritjet për atë film, u hoqën mënjanë.

DJEGiA E CELULOIDIT
Vite më pas, shumë nga ata që e kishin parë filmin të pa sakatuar më pyesnin: “Tani që jemi të lirë, përse nuk i vendos ato pjesë të censuruara? … Mundohem t’u sjell ndërmend atyre, se gjithë ajo lëndë filmike, negativ dhe pozitiv digjeshin në një gropë të madhe të hapur midis ullishtes së Kinostudios, në sytë e një komisioni të caktuar nga shteti-partiak. Këtë e ka ditur dhe kritiku Abdurrahim Myftiu. Kur e pa filmin të pa prekur, ai shprehu fjalët më të mira. Por sot, në librin e tij, “Koha e filmit”, ai e harroi gjymtimin e kryer nga regjimi dhe nuk e përmendi këtë dramë të thellë që kaloi ai film. Është njësoj si të gjykosh viktimën e jo viktimizuesin.

ZAJMI E NEXHMIJA
Ishte një pasdite dimri e butë siç janë dimrat në Tiranë. Kur ai skelet ishte modeluar në argjilë, më erdhi në studio profesori im i vizatimit, Nexhmedin Zajmi. Hyri pa më përshëndetur. E prita me repektin e duhur. U tremba se mendova që do të bëjë sherr për shkërbimet e mia ndaj tij në rrethet e ngushta artistike. I dobët, me atë trup eshtak, pak i kërrusur nga vitet, ngriti dorën dhe gishti i nyjëzuar nga kockat, u drejtua nga shtatorja, ‘Dita e parë e çlirimit’. Mora leckën e ngopur me ujë dhe ia vërvita partizanes së bukur. Shkëlqyen tiparet e saj argjilore. Dora që mënjanonte flokët e flladitur nga era e mëngjesit. Uji zbriti te gjoksi dhe më poshtë, tek krahu mbështetur tek dyfeku i varur në sup. Cigarja gjysmë e qullur e profesorit digjej e mbërthyer nga buzët e holla që dridheshin pa pra. Po e vëzhgonte skulpturën me sytë gjysmë të mbyllur, zakon i artistëve figurativë, për të vatërzuar imtësitë. Balta po më thahej ndër duar nga pritja. Dikur ai tundi kokën. Buzët u shtrinë disi për të formuar një buzëqeshje. Buzëqesha dhe unë. Me cigaren në buzë, u afrua dhe me atë dibrançen e tij, tha:

– Më pëlqen… Shiqo Fejzo, dëgjo. Më pëlqen ngjyra e baltës. Tepër interesante, jo? Shpotisë tij, çakmak siç isha atëherë, iu gjegja sakaq: – Pres mendimin tuaj për punën profesor jo për ngjyrën ë baltës. Është njësoj si t’i vlerësosh një kompozitori jo muzikën, por letrën e pentagramit.

– Për skulpturën tënde mund të them që ke gjetur një model bajagi sensuale! Iku ashtu si erdhi, pa më përshëndetur dhe me një inat të fshehur.

Kisha punuar me shumë dashuri, sepse dhe modelja ishte një mitare e rritur befas, e cila më dhuronte pa kursim gjithçka i kishte falur natyra. Sa herë që vinte, i zhyste duart në argjilën e njomur te depoja e baltës ku ishin dhe duart e mia. Aty plekseshin gishtrinjtë, rrëshqisnin përzjerë me argjilën duke na dhënë një kapërthim ndjenjash e emocionesh. Në ekspozitën kombëtare “Partizania” ime ishte vendosur në një vend të ndriçuar mirë, që vinte në dukje format plastike të femrës. Përpara se të inagurohej ekspozita, ishte e detyrueshme kontrolli nga personalitete të partisë-shtet. Çensura e kudogjëndshme. Shoqja Nexhmije, e shoqëruar nga Nexhmedin Zajmi, kaloi nga mjediset ku ishin vendosur pikturat, skulpturat, grafikat. Ndaloi përpara partizanes. E vështroi me vemendje. Buzëqeshi ndoshta njejësohet me të kur ishte partizane në krah të Enverit. Ngriti dorën të prekë ballin si për të larguar një mizë.

Profesori gjeti kohën e përshtatshme t’i thotë:
– Ky djalë meret me vajza të përdala…
Të nesërmen në prag mbrëmje hapej ekspozita. Bashkë me shokët e mi hymë në mjediset e ndriçuara. Kërkova të shoh punën time. Nuk e gjeta askund. Organizatori i ekspozitës më bëri me dije se statuja ime fatkeqësisht ishte thyer keqas nga zhvendosja për në sallë tjetër. Ishin çaste tepër të dhimbshme. Zemra m‘u mpak. Më pas mora vesh që partizanen e bukur e kishin thyer “pa dashje” dhe hedhur në bodrumet e galerisë. Ishte e trishtueshme dhe revoltuese. Gjithë ai mundim, vuajtje dhe shpenzim. Shkërbimi u pagua shtrenjtë.
*Pjesë nga libri me kujtime “Të pathënat”
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: